Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është nderuar me medaljen më të lartë të Emirateve të Bashkuara Arabe nga presidenti i vendit, Sheikh Mohammed bin Zayed Al-Nahyan, transmeton Anadolu.
Lajmin e bëri të ditur vetë Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shprehu mirënjohje të thellë për nderimin e marrë, duke e cilësuar atë si vlerësimin më të madh që i është akorduar ndonjëherë një kryeministri shqiptar.
Medalja mban emrin e themeluesit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Zayed bin Sultan Al-Nahyan dhe përfaqëson një nga dekoratat më prestigjioze të këtij vendi.
“Thellësisht i prekur prej surprizës së paimagjinueshme dhe nderimit të jashtëzakonshëm nga presidenti i Emirateve të Bashkuara, Sheikh Mohammed bin Zayed Al-Nahyan”, ka shkruar Rama.
“E mora përulësisht plot me krenari për Shqipërinë, e me mirënjohje të thellë për mikun e madh të shqiptarëve, lartësinë e tij Sheikh Mohammed Bin Zayed, si edhe për çdo shqiptar që ma ka besuar udhëheqjen dhe përfaqësimin e atdheut tonë të përbashkët”, ka thënë Rama.
Në fotografinë e publikuar nga Rama, kryeministri shqiptar shihet teksa merr medaljen nga presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe.
Rama po qëndron për vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe, në kuadër të Samitit të Javës së Qëndrueshmërisë që mbahet në Abu Dhabi.




