Ebu Hurejra r.a. transmeton se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kur të filloi nata e parë e muajit Ramazan, një thirrës thërret (nga qielli): “O ti që punon punë të mira, shtoji ato dhe o ti që punon punë të këqija, ndalohu prej tyre.”(1)
Myslimanët e jetojnë Ramazanin nën ombrellën e etikës dhe sjelljeve që i japin jetës një sistem me rregulla kulmore, si në fizionominë e tyre të brendshme ashtu edhe në atë të jashtme. Ata të gjithë në këto rregulla janë unikë. Pamja dhe fizionomia e tyre është më e bukur se në çdo muaj tjetër. Brendësia shpirtërore e myslimanit është plot mirësi, mëshirë, dashuri, entuziazëm dhe afërsi te Krijuesi i tyre. Ata shpejtojnë të fitojnë kënaqësinë e Allahut xh.sh., e cila i nxit që të jenë sa më të kujdesshëm dhe objektiv në fjalë, në sjellje dhe punë. Motoja e tyre është uniteti, barazia, siguria, toleranca, solidariteti dhe bamirësia. Kjo moto te myslimanët zbatohet në mënyrë globale gjatë tërë jetës së tyre, por më tepër është specifike gjatë këtij muaji të bekuar, ngase pozicioni i muajit të Ramazanit është shumë i lartë, se muajt e tjerë të vitit. Ky muaj, në krahasim me muajt e tjerë të vitit, është sikurse pozita e zemrës në trupin e njeriut, si pejgamberët tek njerëzit, si Qabeja me Tokën. Derisa haremet (e Mekës dhe Medinës) e pengojnë hyrjen e Dexhalit, muaji i Ramazanit bën prangosjen e djajve, derisa pejgamberët ndërmjetësojnë për umetet e tyre, muaji i Ramazanit ndërmjetëson për agjëruesit, derisa zemra zbukurohet me dritën e besimit dhe dijes, muaji i Ramazanit zbukurohet me solidaritet dhe lexim të Kuranit. Ai që nuk pendohet dhe nuk falet në Ramazan, në cilin muaj do të pendohet nga mëkati dhe do të falet nga Zoti?! Njeriu duhet të pendohet para se t’i mbyllet dera e pendimit. Allahu xh.sh. thotë: “Përse pra, kur arrin shpirti në fyt, e ju në atë moment vetëm shikoni. E Ne jemi më afër tek ai se ju, por ju nuk shihni.” (El Vakia, 83-85)
Ashtu siç melaqet nuk bëjnë mëkate, ashtu edhe njerëzit gjatë këtij muaji tërhiqen nga mëkatet duke kaluar në shkallën engjëllore.
Ai duhet të pendohet tek Allahu xh.sh. para se t’i ka lojë koha e kthimit, para se të mbarojë koha e mëshirës. Në kontekst me këtë, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Vërtet umeti im nuk duhet ta përbuzë atë që ka fituar në Ramazan”. Një njeri i tha: “Cila është përbuzja e tyre?” Ai tha: “Ai i cili vepron ndonjë haram (në Ramazan), ose ai që e bën ndonjë të keqe, ose ai që pi alkool, ose ai që bën prostitucion. Këtij nuk i pranohet ky Ramazan. Atë e mallkon Allahu xh.sh., melaqet dhe ç’ka në qiej. E nëse ky (njeri) vdes në mes të veprës së tij dhe Ramazanit, ai mbetet pa asnjë të mirë tek Allahu.”(2)
Besimtari në këtë muaj është praktikues më i denjë i asaj që fton Islami, e kjo është vetëdijesimi për moral më të lartë, pastrim të zemrës dhe shpirtit, solidaritet me njëri-tjetrin në bamirësi dhe devotshmëri. Njeriu në këtë muaj mundohet të pengojë mizorinë dhe të keqen ndërmjet njerëzve. Shoqëria trajtohet sikur të jetë një familje, të gjithë angazhohen për prosperitet dhe ardhmëri të lumtur. Ata janë një grusht, një trup, një shtëpi. Këtë e arsyeton thënia e Pejgamberit a.s.: “Shembulli i besimtarit në dashuri, mëshirë dhe solidaritet është sikurse një trup, nëse një pjesë e tij ankohet nga temperatura dhe lodhja, atë e përjeton tërë trupi.”
Kjo pamje e bukur dhe rrugë e ndritshme më së miri mund të realizohet tek ata që e frenojnë veten nga epshet e ndryshme, si në vepër ashtu edhe në fjalë. Myslimanët në këtë muaj ngrihen në shkallën e melaqeve, për të cilët Allahu xh.sh. thotë: “Ata nuk i bëjnë mëkate Allahut në atë që i ka urdhëruar dhe veprojnë atë që u është urdhëruar.” (Et Tahrimë, 6)
Në këtë muaj gjithçka është qartë për rolin e Ramazanit në këtë jetë dhe në botën e ardhshme. Agjërimi është mbështetje dhe mburojë e fortë. Në këtë botë na mbron nga intrigat e djallit dhe të këqijat e njerëzve, e në botën tjetër na mbron nga zjarri i xhehenemit.
Pejgamberi a.s. tha: “Agjërimi është mburojë. Kur ndonjëri prej jush agjëron, të mos ofendojë dhe të mos bëjë mëkate. E nëse ndonjëri prej njerëzve e nënçmon ose e ofendon, le të thotë unë jam agjërueshëm.”
Në këtë hadith shihet se besimtari duhet të vishet me moral të lartë, duke frenuar gjuhën nga fjalët e këqija dhe duke e zbukuruar me fjalë të bukura dhe tërheqëse. Ky është virtyt i lartë i besimtarit, me të cilin Allahu i ka veçuar myslimanët dhe i ka lavdëruar në Kuran: “Dhe ata janë që u udhëzuan me fjalët më të mira dhe u udhëzuan në rrugën e lavdishme.” (El Haxh, 24)
Ramazani është muaj madhështor dhe këtë më së miri e tregon mbushja e xhamive gjatë ditës dhe natës. Besimtarët përqendrohen në leximin e Kuranit, mësimin dhe shpjegimin e tij. Shumë të rinj besimtarë, pleq dhe gra janë të përqendruar dhe të përkushtuar gjatë agjërimit, ngase ky agjërim dhe Kurani në Ditën e Kiametit do të ndërmjetësojnë për të. Pejgamberi a.s. thotë: “Me të vërtetë agjërimi dhe Kurani ndërmjetësojnë Ditën e Kiametit (për agjëruesin dhe lexuesin e Kuranit). Agjërimi thotë: O Zot, ia kam ndaluar ushqimin dhe pijen, më mundëso të ndërmjetësoj për të.”
Prej cilësive që duhet të ketë besimtari në këtë muaj është edhe zgjatja e dorës për bamirësi, dhënia e ushqimit për skamnorët dhe të nevojshmit. Ai duhet të kujdeset që vazhdimisht t’i bashkojë njerëzit në ushqim për iftar. Me këtë ai manifeston dhe zhvillon ndjenjën e mëshirës, butësisë, afërsisë, vëllazërisë, solidaritetit dhe ndihmës së ndërsjellë, të cilat në mënyrën më të mirë i bashkojnë myslimanët.
Përmes këtyre veprave, myslimani afron zemrat, ndërsa synimet dhe objektivat e tij i bashkon në shumë fusha të veprimtarisë. Pra, Ramazani le të mbetet inicim dhe pikënisje që vërteton unitetin, bashkon mendimet, rrit kapacitetin e punës për shpërblim e perspektivë dhe kështu mbetet një kurs dhe një shkollë e madhe që ngre vetëdijen e besimtarëve. Lidhur me këtë Pejgamberi a.s. thotë: “Veprat tek Allahu janë shtatë llojesh: dy vepra janë të patjetërsueshme, dy vepra janë të ngjashme (për nga shpërblimi), një vepër sa dhjetë, një vepër sa shtatëqind vepra, një vepër për shpërblimin e së cilës nuk di askush tjetër përveç Allahut xh.sh. Dy veprat e patjetërsueshme janë: kush e takon Allahun me adhurim të sinqertë pa i bërë rival me asgjë, për të xheneti është i patjetërsueshëm; e kush e takon Allahun me shirk (duke i bërë rival në vepra), për të zjarri është i patjetërsueshëm. Kush vepron një të keqe, vetëm për një të keqe ndëshkohet. Kush dëshiron të bëjë një të mirë, por nuk e bën, ai për të do të shpërblehet. Kush bën një të mirë, ai do të shpërblehet me dhjetë të mira. Kush shpenzon pasurinë e tij në rrugën e Allahut, do t’i shumëfishohet një dërhem me shtatëqind, një dinar me shtatëqind. E agjërimi që bëhet për Allahun, shpërblimi i tij nuk ka kufi dhe nuk e di askush përveç Allahut xh.sh..”(3)
Nderi më i madh që ka ky muaj është zbritja e Kuranit. Ky nderim nuk mund të krahasohet dhe as të barazohet me ndonjë nderim tjetër.
Allahu xh.sh. thotë: “Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin ka filluar të zbresë Kurani.” (El Bekare, 185)
Kurani është begatia dhe kapitali më madhështor që ka zbritur Allahu xh.sh. Ai është ndarës i së vërtetës nga e pavërteta. Ai është litar i fuqishëm, është rrugë e drejtë. Kush gjykon me të, ka gjykuar drejt, e kush e merr për udhëzim, ai do të udhëzohet. Këtë më së miri e konfirmon Allahu xh.sh., i Cili thotë: “Vërtet ky Kuran udhëzon për atë rrugë që është më se e vërtetë, e besimtarët që bëjnë vepra të mira, i përgëzon se ata pa dyshim do të kenë shpërblim të madh.” (El Isra, 9)
Ata të cilët e lexojnë, studiojnë dhe analizojnë Kuranin kanë shpërblim të madh tek Allahu xh.sh., bazuar në thënien e Muhamedit a.s.: “Nuk grumbullohen njerëzit në një shtëpi prej shtëpive të Allahut, duke e lexuar dhe duke ia mësuar njëri-tjetrit Kuranin, përveçse tek ata zbret ndihma, i përfshin mëshira, melaqet do të kujdesen për ta dhe ata do të përmenden tek Allahu xh.sh..”
Në këtë hadith kuptohet se ai grup njerëzish që e lexojnë, mësojnë dhe studiojnë Kuranin kanë respekt dhe pozitë të konsiderueshme tek Allahu xh.sh. Përderisa myslimanët e lexonin Kuranin, e mësonin, e studionin, udhëzoheshin me të, lejonin të lejuarën, ndalonin të ndaluarën dhe pasonin porositë profetike, ata ishin komandues dhe udhëheqës, i mësonin botës të mirën dhe të drejtën. Ata bartën një civilizim që kishte karakter njerëzor, e që përmbante mëshirë, stabilitet dhe dritë. Ata gjendeshin nën ombrellën e këtij ajeti kuranor: “Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve.” (Ai Imran, 110)
Para nesh rruga ende mbetet e hapur për ata që dëshirojnë të jenë udhëheqës të paqes dhe të drejtave e lirive të njeriut, t’i udhëzojnë shpirtrat e njerëzve në këtë botë, kurse në botën tjetër të jenë të shpëtuar. Kjo më së miri do të arrihej nëse gjeneratat e ardhshme dhe njerëzit në përgjithësi i drejtojmë te Kurani, zemrat e tyre lidhen me të, i frymëzojmë që përfundimisht t’i pranojnë parimet islame dhe të veprojnë sipas tyre. Atëherë edhe ne amanetin tonë e kemi kryer me sukses edhe kemi krijuar një shoqëri të drejtë e me baza të shëndosha, ku interesi shoqëror zotëron mbi interesin individual. Allahu xh.sh. thotë: “Kush është besimtar dhe bën vepra të mira, ai nuk i frikësohet ndonjë padrejtësie dhe as ndonjë mung ese (në shpërblim).” (Ta Ha, 112)
_____________________________________________
(1) “Sunen Et Tirmidhij”, vëll. III, fq. 66, nr. 682; “Sunen En Nesaij”, vëll. IV, fq. 129, nr. 2107.
(2) Et Taberani, “Es sagir”, vëll. I, fq. 248.
(3) El Mundhir, “Et tergib vet terhib”, vëll. II, fq. 12.








