RAMAZANI-Kushtrim për Paqe

Prof.Dr. Rrahman Ferizi

PSE AGJËRIMI?
Agjërimi si koncept apo traditë?

1. BUSULLË IDENTITETI
Në çdo kohë njeriun e kanë përcjellur sfida dhe tundime identiteti, duke e luhatur në
baticat dhe zbaticat e dinamizmit të ideve dhe botëkuptimeve të llojllojshme, djathtiste,
majtiste, materialiste, utopiste etj.
Muaji Ramazan mund të shërbejë si një busullë identiteti, duke e kthyer njeriun
(besimtarin-praktikues) drejt kahjes (kibles) së natyrshme të tij, drejt fillimit dhe infinitit
të qëllimit të ardhje-vajtjes në këtë jetë, drejt Zotit.

2. PËRCAKTIM PËRKATËSIE
Që nga njeriu i parë është shpërfaqur natyra njerëzore dualiste (kabiliste dhe habiliste)
andaj lufta mes të mirës dhe së keqës nuk ka të ndalur as s’do të përfundojë.
Ramazani, përveç tjerash edhe me procesin e agjërimit në kulminacionin e vetëkontrollit
dhe abstenimit, deri në kohezionin infinit spiritual, definon vulën e përkatësisë humane
(të mirës) ndaj asaj shtazarake (të ligës) duke reflektuar faktin në praktikë, se nuk jetojmë
vetëm për karbohidrate, mirëpo jetojmë edhe mbi nivelin e dimensionit biologjik, në
aurën e hyjnores, si dhe përpjekjes për sukses dhe ngadhënjim në çdo sferë të jetës;
familjare, profesionale, shoqërore dhe globale.

3. R-EVOLUCION
Sipas botëkuptimit idealist (natyralist) nuk ka pasur evolucion njerëzor në gjenezën e tij,
mirëpo ka pasur dhe do të ketë r-evolucion në dinamikën e përmasave të zhvillimit
human biologjik dhe psikologjik (në aspektin kualitativ) ashtu sikur ka progres shkencor
dhe teknologjik.
Muaji Ramazan, me procesin e abstenimit dhe mbisundimit (qoftë edhe sporadik) ndaj
kulçedrës së egos, riaktualizon gjenezën e intelektit hyjnor që zhvillon mekanizmin e
ndërgjegjes humane të njeriut koshient, përkundër që posedon edhe instiktin tokësor, i cili
si graviteti e tërheq vazhdimisht në ligësi dhe denatyrim të natyrës së pastërt (fitres)
njerëzore.
Andaj, duke praktikuar procesin e agjërimit, me vetëdije dhe mision, me të gjitha
premisat dhe shqisat, e jo vetëm një abstenim të pavetëdijshëm dhe spontan, do të vijë në
shprehje fuqia mrekullibërëse e një r-evolucioni biologjik në kozmosin e personalitetit
kompleks njerëzor.
Ai individ, familje dhe shoqëri e cila nuk e kalon këtë proces të rafinimit, përjetimit,
sakrificës dhe altruzimit të rolit dhe misonit të këtij muaji, (abstenimit dhe lartësimit) nuk
mund të rezistojë gjatë në kauzën e r-evolucioneve shkencore, teknologjike, politike dhe
katrahurave që mund të prodhojnë ato.

4. SOLIDARIZIM GLOBAL

Njeriu koshient i cili përballet me dinamikën e kohës “kuantike” ku ditët dhe vitet
fluturojnë si “fluska sapuni” sikur nuk ka kohë as të mendojë para se të flasë, dhe të
lexojë para se të mendojë.
Sikur në të kaluarën edhe tani, njeriu (habili) po përballet me kabilin (vrasësin) vetëm se
në përmasa katastrofale (statistikisht në Gaza të Palestinës gjatë këtyre muajve janë vrarë
më shumë fëmijë se sa dekadën e fundit në të gjitha luftërat në Botë)?!.
Duke agjëruar njeriu, edhe ai që ka sado pakë fije të antenave të empatisë njerëzore, e
ndjenë në asht e rrasht nervin e etjes dhe urisë, edhe pse përkohësisht, duke u solidarizuar
me ata që me muaj, vite e dekada jetojnë në këtë “agjërim” dhe abstenim të dhunshëm
dhe të paparë, jo vetëm ndaj nevojave themelore; ajrit të pastër, ujit e bukës, mirëpo edhe
ndaj përdhosjes dhe nënçmimit, pa kursyer asgjë nga egërsia dhe kanibalizmi kabilian.

5. ALARM ALTRUIZMI
Përmes procesit të agjërimit, njeriu kalon nga një stad biologjik (duke jetuar vetëm për
karbohidrate) në një piedestal thuajse idilik (duke bindur dhe privuar unin e tij
vullnetarisht për abstenim) në nivelin e dimensionit të ndërgjegjës së tij si një alarm
altruzimi.
Kjo ndërgjegje e pastruar nga biologjia kabiliste do të thërras dhe alarmojë mendjet dhe
zemrat habiliste, duke mobilizuar ndjenjat dhe veprimet altruiste që nga pragu familjar,
shoqëror dhe global, duke prodhuar energji të reaksionit dhe r-evolucionit, mbi
padrejtësitë, krimet dhe gjenocidet kudo dhe ngado që realizohen.
Vetëm, kështu shtëpia jonë (planeti Tokë) do të premtojë aleancë me të mirën, dinjitetin
dhe drejtësinë universale pa dallim kulture, race, kombi apo kontinenti.

Dr. Rrahman FERIZI