
Të nderuar besimtarë!
Jemi duke përjetuar gëzimin e arritjes së muajit të bekuar të Ramazanit, fillimi i të cilit është mëshirë, mesi i tij falje, ndërsa fundi i tij, është mjet shpëtimi prej dënimit të xhehenemit. Falenderimet i takojnë Zotit të Madhëruar, i Cili na mundësoi t’a arrijmë këtë muaj të bekuar. Paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi Profetin tonë, Muhamedin (s.a.s), i cili u dërgua si mëshirë për botërat.
Jeta është një dhunti e madhe, një mirësi dhe një dhuratë e çmuar prej Zotit të Madhëruar; ajo është një kapital i vyer, por në të njëjtën kohë, edhe një amanet me përgjegjësi të madhe. Çdo çast që përjetohet me vetëdijen e adhurimit, është i vlefshëm, pavarësisht se në cilin muaj, ditë apo orë të vitit ndodhemi. Mirëpo, ekzistojnë disa kohë të cilat janë veçuar me mëshirë hyjnore, e që janë bërë shkas për pranimin e lutjeve dhe faljen e mëkateve. Edhe muaji i Ramazanit, në të cilin gjendemi, është një muaj i bekuar, një manifestim i mëshirës së pafundme të Allahut (xh.sh.) ndaj robërve të Tij. Ramazani, me natën dhe ditën e tij, është një thesar i pashoq, ku çdo çast meriton të vlerësohet me përkushtim.
Të dashur besimtarë!
Ajo që e bën Ramazanin, kaq të veçantë dhe të rëndësishëm, është fakti se ai është muaji i Kuranit. Kurani Fisnik, i cili ndan të vërtetën nga e kota, të drejtën nga e gabuara, udhëzuesi që të shpie drejt lumturisë në këtë botë dhe në botën tjetër, ka filluar të shpallet pikërisht në këtë muaj. Në ajetin që lexova në fillim të hutbes, Allahu i Madhëruar urdhëron: “Muaji i Ramazanit që në te (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë…”[1]
Besimtarë të nderuar!
Profeti (s.a.s.), një herë iu drejtua shokëve të tij me këto fjalë: “Ju arritët muajin e bekuar të Ramazanit. Allahu i Madhëruar ua bëri obligim agjërimin në këtë muaj. Në këtë muaj hapen dyert e xhenetit, mbyllen dyert e xhehenemit dhe lidhen shejtanët e mallkuar”.[2] Ramazani është muaji i agjërimit. Ai është muaji ku agjërimi i mëson individit durimin dhe mëshirën, ndërsa shoqërisë i mëson solidaritetin dhe vëllazërinë. Agjërimi i Ramazanit është farz për çdo mysliman me mendje të shëndoshë, që ka arritur moshën e pjekurisë dhe që nuk ka ndonjë pengesë të arsyeshme, të vlefshme sipas fesë. Sepse agjërimi është një nga pesë shtyllat kryesore mbi të cilat është ndërtuar feja Islame. Largimi nga ngrënia, pirja dhe dëshirat epshore është vetëm ana e dukshme e agjërimit. Sakaq, agjërimi mbart një kuptim shumë më të thellë; ai do të thotë t’i mbash larg gjynaheve dorën, gjuhën, syrin, zemrën, mendjen, me pak fjalë, të gjithë trupin tënd.
Besimtarë të dashur!
Ashtu siç thuhet në ajetet e Kuranit, agjërimet tona janë rruga më ideale për edukimin e egos, shpirtit, vullnetit dhe devotshmërisë. Sepse agjërimi i mëson njeriut të mos bëhet rob i dëshirave materiale dhe të respektojë kufijtë e caktuar nga Allahu. Falë agjërimit, njeriu mëson të zotërojë veten, piqet shpirtërisht dhe arrin kënaqësinë e Allahut. Kështu, besimtari zë vendin e tij mes robërve të vyer që i frikësohen Atij me meritë, pra mes të devotshmëve.
Islami është mirësia më e madhe e dërguar nga Allahu xh. sh. për ta nxjerrë njerëzimin nga errësira në dritë. Sepse vetë emri i tij mbart kuptimin e paqes, qetësisë dhe shpëtimit. Realizimi i kësaj paqeje, qetësie dhe shpëtimi është i mundur vetëm nëse njeriu u përmbahet parimeve morale që kërkohen prej tij, duke u përpjekur të jetë vetë i mirë e ta përhapë mirësinë, si dhe duke qëndruar larg të keqes e duke i larguar edhe të tjerët prej saj.
Islami i ka quajtur hallall (të lejuara) të gjitha ushqimet dhe sjelljet që janë të mira dhe që të shpien drejt mirësisë; ndërsa “haram” (të ndaluara) i ka quajtur ato që janë të këqija dhe që të çojnë drejt ligësisë. Me fjalë të tjera, gjithçka që është e pastër dhe e dobishme është bërë hallall, ndërsa gjithçka që është e fëlliqur dhe e dëmshme është bërë haram.
Nga kjo del shumë qartë se njeriut i është ndaluar të dëmtojë si trupin e tij, ashtu edhe trupin e tjetrit. Profeti ynë (s.a.s.), ia ka deklaruar mbarë njerëzimit si një rregull universal thënien e tij: “Nuk lejohet të bësh dëm, e as t’i përgjigjesh dëmit me dëm”.
[1] Bakara: 185.
[2] Nesai: Sijam, 5.
/qendraminber








