Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ramazani në SHBA: miliarda dollarë zekat dhe vullnetarizëm

Ramazani në SHBA: miliarda dollarë zekat dhe vullnetarizëm

Si po shndërrohen xhamitë amerikane në qendra shprese dhe solidariteti

Ndërsa dielli perëndon në Silver Spring, Maryland, dhjetëra makina mbushin parkingun e Qendrës “Imaam”. Familjet mbërrijnë me tabaka plot ushqime, ndërsa vullnetarët lëvizin me shpejtësi mes kuzhinës dhe sallës.

Brenda, aroma e thjerrëzave dhe orizit lajmëron momentin e iftarit. Pas thirrjes së ezanit, dhoma bie në qetësi për një çast, përpara se të nisë ngrënia dhe bisedat e ngrohta.

Skena të tilla përsëriten çdo mbrëmje në xhamitë anembanë SHBA-së. Por përtej vakteve, ky muaj është periudha më e rëndësishme e bamirësisë për myslimanët amerikanë.

Stina e bujarisë

Bujaria gjatë këtij muaji kulmon me zekatin, detyrimin fetar për të dhuruar 2.5 për qind të pasurisë atyre që janë më në nevojë. Sipas kërkimeve nga Universiteti i Indianës, myslimanët amerikanë kontribuojnë rreth 1.8 miliardë dollarë në zekat çdo vit, ku 70 për qind e kësaj shume jepet gjatë Ramazanit.

Në total, ata dhurojnë rreth 4.3 miliardë dollarë në vit për kauza bamirësie, kryesisht brenda SHBA-së. Në nivel lokal, kjo ndihmë është shumë praktike. Në Qendrën “Imaam”, vullnetarët shërbejnë qindra vakte falas çdo natë.

“Në Amerikë ngaqë jemi pakicë, ndjenja e unitetit dhe vëllazërisë është shumë e fortë”- thotë Hadi, menaxheri i operacioneve. “Ramazani është koha më e mirë e vitit sepse njerëzit vijnë në xhami dhe hanë bashkë”– shton ai.

Përballja me nevojat

Me rritjen e pjesëmarrjes, rritet edhe kërkesa për ndihmë. Shumë prej tyre janë refugjatë të sapoardhur ose familje që përballen me koston e lartë të jetesës në zonën e Uashingtonit. “Qiraja këtu është shumë e shtrenjtë. Për shkak se ndihma qeveritare ndërpritet pas pak muajsh, ata vijnë te ne”- shpjegon Hadi.

Për t’iu përgjigjur kësaj emergjence, xhamia shpërndan donacionet e mbledhura dhe bashkëpunon me organizata si Islamic Relief USA. Vetëm këtë muaj u shpërndanë mbi 160 pako ushqimore dhe u organizua një klinikë shëndetësore falas.

Hadi kujton një rast të freskët: “Një person erdhi sot i dëshpëruar sepse nuk paguante dot qiranë. I thashë: Mos u shqetëso vëlla, ne jemi këtu për ty”.

Një vend ku ndihesh i mirëpritur

Midis besimtarëve është edhe Salmani, i cili u konvertua në Islam pesë vite më parë. Atë e tërhoqi karakteri i myslimanëve: “Janë njerëz shumë të ngrohtë që nuk të dëbojnë. Më thoshin: Vëlla, hajde ha me ne. Kjo mbolli tek unë dashurinë për besimin islam”. Për të, agjërimi krahas punës me orar të zgjatur që bën, është një mundësi për rritje shpirtërore.

Më shumë se thjesht një vakt ushqimor

Për Hadin, i rritur në Indonezi, komuniteti në SHBA ka një peshë tjetër. Ai tregon se kanë marrë deri edhe oferta bashkëpunimi nga Kisha përballë rrugës. “Në vendet me shumicë myslimane, këto gjëra i merr si të mirëqena. Këtu duhet të jemi bashkë”.

Ndërsa mbrëmja mbyllet dhe familjet largohen për në shtëpitë e tyre, vullnetarët pastrojnë në heshtje që ambienti të jetë gati për ditën tjetër. Ky muaj i shenjtë, mbetet një kujtesë se devotshmëria nuk matet vetëm me lutje, por me kujdesin ndaj tjetrit. /tesheshi