“Raporti i Bulliqit” mbetet në ligj, vetëm si orientim për deputetët

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pranuar që raporti i Komisionit Shtetëror për Shënjimin e vijës së kufirit, tashmë i njohur si “Raporti Bulliqi”, të jetë në ligjin për demarkacionin vetëm si orientim për deputetët, merr vesh portali Koha.net.

Kësisoj, Raporti i Komisionit të shkarkuar, i prirë nga Murat Meha do të jetë pjesë e ligjit në nenin 3/1.3, së bashku me “Raportin Bulliqi”.

Burime të portalit Koha.net kanë thënë se kësaj pike i është shtuar togfjalëshi “për orientim”, sipas kërkesës së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar edhe deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka thënë se raportet e dy Komisioneve Shtetërore do të jenë veçse informuese për deputetët.

“Marrëveshja parasheh që pjesë e ligjit të jenë Marrëveshja e gushtit 2015 dhe deklarata e presidentëve. Të gjitha dokumentet tjera, të gjitha raportet e të gjitha Komisioneve, janë veçse informuese për deputetët”, ka thënë Abdixhiku.

I pari që njoftoi për arritjen e marrëveshjes për demarkacionin ishte kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Marrëveshjen e konfirmoi edhe kryeministri Haradinaj, por ai ishte i paqartë, duke thënë se është mënjanuar pengesa politike që garanton unitet politik në vend, por në anën tjetër thoshte se ka mbetur në ligj “Raporti Bulliqi”, pa treguar se ky i fundit do të shërbej vetëm për orientim./koha.net