Me fjalën arabe “Daruretun” në terminologji nënkuptohet ajo situatë apo rrethanë që të shtyn të bësh një veprim të ndaluar juridikisht (sheriatikisht).[1]
Raporti midis “nevojës sheriatike” me “domosdoshmërinë sheriatike” konsiderohet si një prej raporteve më të ngushta, madje nuk e ekzagjirojmë që të themi se – absolutisht – ai është raporti më i ngushtë. Padyshim ky raport ka një efekt të qartë në thelbin e secilës prej tyre (nevojës dhe domosdoshmërisë) dhe dispozitave fetare. Demonstrimi i raportit reciprok midis atyre të dyjave dhe sqarimi i pikave të përbashkëta dhe të ndryshme (mospërputhëse) të tyre është një çështje me rëndësi tepër të madhe. Madje kjo çështje konsiderohet prej çështjeve themelore të këtij studimi. Nëse ne nuk e rezaurojmë këtë çështje, atëherë ne nuk do të kemi mundësi që të kuptojmë secilën prej tyre, rregullat dhe ligjet që rrjedhin prej secilës prej tyre. Duke qenë se sheriati ka folur për pikat e përbashkëta dhe për ato pika të cilat janë të ndryshme dhe bëjnë dallimin midis tyre, atëherë edhe ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë. Prandaj e shoh me vend, që këtë të çështje ta parashtroj në dy këndvështrime:
Këndvështrimi i parë: Pikat e përbashkëta midis “nevojës sheriatike” dhe “domosdoshmërisë sheriatike”:
Para se të flasim për pikat e ndryshme midis nevojës dhe domosdoshmërisë është mirë që të flasim për pikat e përbashkëta midis tyre, sepse kjo do të na mundësonte të bënim një përcaktim të saktë të dallimeve dhe ndryshimeve mes tyre. Sa më poshtë po sqarojmë pikat e përbashkëta midis tyre:
Së pari: Në aspektin gjuhësor – nevoja dhe domosdoshmëria – kanë kuptim shumë të përafërt, për mos të thënë që kanë të njëjtin kuptim. Madje disa juristë – të hershëm – kanë thënë se me termin “domosdoshmëri” nënkuptohet “nevoja”.
Së dyti: Secila prej tyre – nevojës dhe domosdoshmërisë – në një mënyrë apo tjetër, kanë nevojë për njëra – tjetrën. Pikërisht, kjo është edhe arsyesa se përse një grup juristësh kur në mënyrë krejt të pakufizuar flasin për domosdoshmërinë, ata kanë për qëllim domosdoshmërinë dhe nevojën. Disa juristë të tjerë kanë thënë se ato janë sinonime të njëra – tjetrës. Kurse disa juristë të tjerë me fjalën “domosdoshmëri” në terminologji kanë për qëllimi dy gjëra: Një: domosdoshmëri ekstreme dhe dy: domosdoshmëri në nivel më të ulët duke patur për qëllim nevojën.
Së treti: Efekti i “nevojës sheriatike” dhe “domosdoshmërisë sheriatike” në ndryshimin, zëvendsëimin, etj të dispozitave fetare është i përafërt. Argumenti më i qartë i kësaj që po themi është se juristët kanë formuluar një rregull në të cilin thuhet se: “Nevoja sheriatike trajtohet si domosdoshëmëri sheriatike.”
Së katërti: “Nevoja sheriatike” konsiderohet kanadari matës i asaj që lejohet për shkak të “domosdoshmërisë sheriatike”. Kjo do të thotë se nëse për shkak të një domosdoshmërie lejohet një veprim i ndaluar, shkalla e lejueshmërisë është në varësi të nevojës për atë veprim. Argument për këtë është rregulli i formuluar nga juristët: “Domosdoshmëria e lejon përdorimin e pasurisë së tjetrit – pa lejen e tij – aq sa është e nevojshme.” Nuk ka dyshim se ky rregull tregon shumë qartë raportin reciprok midis “nevojës sheriatike” dhe “domosdoshmërisë sheriatike”.
Së pesti: “Nevoja sheriatike” është në rang të dytë për nga rëndësia duke qenë se “domosdoshmëria sheriatike” renditet e para. Kjo do të thotë se “nevoja sheriatike” i shërben dhe plotëson “domosdoshmërinë sheriatike”.
Këndvështrimi i dytë: Pikat e ndryshme (mospërputhëse) dhe të dallueshme midis “nevojës sheriatike” dhe “domosdoshmërisë sheriatike”:
Disa njerëz mendojnë se përderisa midis “nevojës sheriatike” dhe “domosdoshmërië sheriatike” ka pika të përbashkëta, atëherë kjo ndodh në të gjitha rregullat dhe dispozitat ligjore që kanë lidhje me to. Mirëpo ky mendim nuk është i saktë dhe nuk përputhet me realitetin. Midis “nevojës sheriatike” dhe “domosdoshmërisë sheriatike” ka një sërë pikash jo të përbashkëta. Disa prej këtyre pikave kanë lidhje me thelbin e secilës prej tyre dhe të tjera kanë lidhje me dispozitat ligjore të secilës prej tyre. Këto pika ku ka mospërputhje dhe jo të përbashkëta janë si më poshtë:
Së pari: Dallimi midis “nevojës sheriatike” dhe “domosdoshmërisë sheriatike” që ka lidhje me thelbin e secilës prej tyre:
Me “nevojë sheriatike” nënkuptohet “Nevoja për një gjë e cila krijon hapësira lehtësuese për të shmangur situatat e vështira e të mundishme, megjithëse ajo bie ndesh me dispozitat thelbësore të sheriatit, pasi ajo konfirmohet përmes dispozitave të veçanta përjashtuese (jo thelbësore).” Kurse me “domosdoshëri sheriatike” nënkuptohet “ajo situatë apo rrethanë që të shtyn të bësh një veprim të ndaluar juridikisht (sheriatikisht).”
Ky është dallimi esencial midis “nevojës sheriatike” dhe “domosdoshëmërisë sheriatike”, dallim të cilin pjesa dërrmuese e juristëve kanë treguar kur kanë folur për përkufizimin e secilës prej tyre. Një sqarim të tillë e ka bërë imam Zerkeshiu kur ka folur për përkufizimin e atyre të dyjave. Imam Zerkeshiu ka thënë: (Me domosdoshmëri sheriatike nënkuptojmë atë situatë të krijuar e cila arrin deri në atë kufi që nëse njeriu nuk e vepron atë gjë që është e ndaluar, atëherë ai është i destinuar të shkatërrohet, ose është afër shkatërrimit. Si për shembull: ai person që është i detyruar të hajë një ushqim të ndaluar apo të veshë një rrobë të ndaluar. Nëse ai nuk e ha atë ushqim ose nuk e vesh atë rrobë atëherë është i destinuar të vdesë, ose mund t’i dëmtohet një pjesë e trupit. Kështu pra në këtë rast lejohet të veprosh një gjë që është e ndaluar. Kurse në lidhje me nevojën sheriatike si shembull mund të japim rastin e atij personi i cili është i uritur, i cili edhe nëse nuk ha nuk ka rrezik të shkatërrohet, por ai has vështirësi dhe stërmundohet. Në këtë rast për këtë person nuk lejohet që të hajë atë gjë është e ndaluar.)[2]
Duke u bazuar tek këto fjalë, themi se “domosdoshmëria sheriatike” ka motiv më të fortë se “nevoja sheriatike”. Kështu që në rastin e domosdoshmërisë, nuk ka shans (hapësirë) që të mos ta veprojë atë që ëhtë e ndaluar, kurse në rastin e nevojës ajo bazohet tek lehtësimi ku njeriut nuk i lejohet të veprojë atë që është e ndaluar.
Së dyti: Dallimi midis “nevojës sheriatike” dhe “domosdoshmërisë sheriatike” që ka lidhje me dispozitat ligjore të secilës prej tyre:
1 – Dispozitat ligjore të afirmuara përmes “domosdoshmërisë” janë dispozita ligjore të përkohshme dhe janë të lidhura me praninë e “domosdoshmërisë”. Në momentin që “domodoshmëria” largohet është detyrë rikthimi tek dispozita ligjore bazë që ka qenë në fuqi në fillim.
Kurse përsa i përket dispozitave ligjore të afirmuara përmes “nevojës” ato janë dy llojesh:
Lloji i parë: Dispozita ligjore të afirmuara përmes “nevojës së përgjithshme”. Këto lloj dispozitash ligjore janë të vashdueshme dhe të përhershme dhe prania apo mos prania e nevojës nuk ka asnjë lloj ndikimi.
Lloji i dytë: Dispozita ligjore të afirmuara përmes “nevojës specifike”. Këto dispozita janë të përkohshme. Në momentin që “nevoja” largohet është detyrë rikthimi tek dispozita ligjore bazë që ka qenë në fuqi në fillim.
2 – Duke qenë se “domosdoshmëria sheriatike” ka motiv më të fortë se “nevoja sheriatike” atëherë themi se “domosdoshmëria” lejon lloje të veprimeve të ndaluara të cilat nuk mund t’i bëjë të lejueshme “nevoja”. Madje në parim, ajo që lejon veprën e ndaluar është vetëm “domosdoshmëria”. Megjithëse në parim është kështu, prapë se prapë ne vërejme se në disa raste sheriati ka ardhë me lehtësime për shkak të “nevojës”. Por secila prej “nevojës sheriatike” dhe “domosdoshmërisë sheriatike” dallojnë nga njëra – tjera në lidhje me lejueshmërinë e veprave të ndaluara. Ka disa prej veprave të ndaluara, të cilat janë janë të ndalura me argumente të forta dhe që quhen harame në vetvete (haram li dhatihi) si për shembull alkooli, coftina, gjaku, etj, që nuk lejohen vetëm se në rast “domosdoshmërie” por jo në rast “nevoje”. Kurse përsa i përket atyre veprimeve të ndaluara për shkak të një diçkaje tjetër (haram li gajrihi) si për shembull veshja e rrobës së mëndafshtë për burrat lejohen për shkak të “nevojës”. Dhe arsyeja e kësaj është se ndalimi për një veprim të ndaluar për shkak të një diçkaje tjetër është më i dobët se ndalimi për një veprim të ndaluar në vetvete.
3 – “Domosdoshmëria sheriatike” duhet të jetë konkrete te individi në mënyrë të atillë që veprimi të jetë i vlefshëm sipas asaj që kërkohet prej saj. Gjithashtu si kusht për të vepruar sipas “domosdoshmërisë” është verifikimi për ekzistencën e saj.
E përsa i përket “nevojës sheriatike” ajo është dy llojesh:
Lloji i parë: “nevojë sheriatike e përgjithshme” dhe ajo nuk është kusht që të jetë konkrete tek çdo individ. Po ashtu nuk është kusht as edhe verifikimi për ekzistencën e saj.
Lloji i dytë: “nevojë sheriatike specifike” dhe ajo është njëlloj si “domosdoshmëria sheriatike” e cila duhet të jetë prezente tek individi dhe është kusht i verifikimit për ekzistencën e saj.
4 – I jepet përparësi “domosdoshmërisë sheriatike” ndaj “nevojës sheriatike”. Nëse ndodh që midis “domosdoshmërisë sheriatike” dhe “nevojës sheriatike” ka kontradiktë formale, atëherë i jepet përparësi “domosdoshmërisë sheriatike” sepse ajo është më e rëndësishme dhe më prioritare dhe po ashtu “domosdoshmëria sheriatike” është baza e “nevojës sheriatike” prandaj edhe i jepet përparësi. Për shembull: ushqimi, i parë në aspektin bazik është “domosdoshmëri” për shkak të mbrojtes së jetës së njeriut, kurse ushqimi hallall është “nevojë”. Në rastin kur njeriu nuk gjen vetëm se ushqim të ndaluar për të ngrënë, kemi kontradikë dhe përplasje midis “domosdoshmërisë sheriatike” dhe “nevojës sheriatike”, padyshim që në këtë rast i jepet përparësi “domosdoshmërisë sheriatike” ndaj “nevojës sheriatike” sepse është më prioritar dhe më i rëndësishëm.[3]
I jepet përparësi “domosdoshmërisë sheriatike” ndaj “nevojës sheriatike” në rastin kur midis atyre të dyjave ka përplasje e kontradiktë. Mirëpo kur nuk ka përplasje, atëherë është mund që të bashkëveprojmë me të dyja së bashku, madje kjo është e kërkuar.
5 – Duke medituar rreth atyre gjërave të cilat kemi thënë më parpara dalim në përfundimin se “nevoja sheriatike” është më gjithëpërfshirëse se “domosdoshmëria sheriatike”. Arsyeja e kësaj që themi është se përsa i përket “nevojës sheriatike” nëse ajo nuk merret parasysh atëherë si rezultat i kësaj kemi të bëjmë me vështirësi, stërmundim dhe lodhje. Ato çështje të cilat janë sebeb për vështirësinë dhe stërmundimit janë të shumta. Kurse përsa i përket “domosdoshmërisë sheriatike” nëse nuk merret parasysh, si rezultat i kësaj njeriu apo një pjesë e tij dëmtohet (shkatërrohet). Mirëpo ato çështje që janë sebeb për dëmtimin dhe shkatërrimin janë shumë pak krahasuar me ato të “nevojës sheriatike”. Argument për këtë është edhe rregulli i përcaktuar nga juristët: “Nevoja sheriatike është më gjithëpërfshirëse se domosdoshmëria sheriatike.”
Autor: Ahmet ibn Abdurrahman ibn Nasir Er Reshid
Përshtati: Elton Harxhi
[1] – Ky është përkufizimi i dijetarit hanefi Ali Hajdar Efendiut që autori ka përzgjedhur. Sh.pk.
[2] – Për më tepër shih “El Eshbah uen Nadhair” të imam Sujutit, fq: 61.
[3] – Për ta konkretizuar themi se mbrojtja e jetës është “domosdoshmëri” dhe “domosdoshmëria” e lejon ushqimin e ndaluar. Kurse ngrënia e ushqimit hallall është “nevojë”. Në rastin kur kemi vetëm ushqim të ndaluar dhe na mungon ushqimi hallall, kjo do të thotë se kemi përplasje midis asaj që është “domosdoshmëri” dhe asaj që është “nevojë”. Sipas kësaj pike themi se i jepet përparësi “domosdoshmërisë” ndaj “nevojës”, pra lejohet të hahet ushqimi i ndaluar në mungesë të ushqimit hallall. Sh.pk.







