Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Raportuesja e OKB-së dhe Amnesty kërkojnë sërish kalim të sigurt për anijen...

Raportuesja e OKB-së dhe Amnesty kërkojnë sërish kalim të sigurt për anijen ‘Madleen’

Raportuesja Speciale e Kombeve të Bashkuara, Francesca Albanese, ka përsëritur thirrjen për të garantuar kalimin e sigurt të anijes Madleen, e cila po transporton ndihma humanitare drejt Gazës.

“Anija nuk po mbart vetëm ndihma, por njerëzi,” shkroi Albanese në një postim në platformën X. “Shpresoj që Izraeli të mos i rrezikojë, siç ndodhi me flotilen e mëparshme.”

Albanese është pjesë e një grupi prej 10 ekspertësh të OKB-së që javën e kaluar bënë thirrje për mbrojtjen e anijes, duke theksuar se ajo është e mbrojtur nga e drejta ndërkombëtare.

Amnesty International, përmes degës së saj në Irlandë, i është bashkuar thirrjeve për të lejuar kalimin e sigurt të Madleen-it.

“Izraeli duhet të heqë bllokadën dhe të lejojë kalimin e sigurt të #Madleen,” u shpreh Amnesty Ireland në një postim zyrtar.

Thirrjet vijnë mes shqetësimeve në rritje për një ndërhyrje të afërt nga ana e ushtrisë izraelite ndaj anijes e cila po i afrohet brigjeve të Gazës.