Sulmuesi i krahut nga Kosova, Milot Rashica, po kalon një periudhë të vështirë te Beshiktashi, ndërsa mediat turke kanë nisur të ngrenë pikëpyetje serioze mbi kontributin e tij në skuadër.
Sipas raportimit të gazetës Milliyet, një nga problemet kryesore të ekipit bardhezi mbetet mungesa e impaktit nga lojtarët që vijnë nga stoli – një listë ku përfshihet edhe Rashica. Pas përforcimeve në afatin kalimtar dimëror, pritej që konkurrenca të rriste nivelin e performancës, por kjo nuk ka ndodhur.
Trajneri Sergen Yalçın u ka dhënë minuta disa lojtarëve si Rashica, Cengiz Ünder, Mustafa Hekimoğlu dhe të tjerë, por sipas “Milliyet”, ata nuk kanë arritur të shfrytëzojnë mundësitë e tyre. Në veçanti, forma e Rashicës ka rënë në sy për negativitet.
Statistikat e fundit janë shqetësuese për përfaqësuesin kosovar: në 11 ndeshjet e fundit në kampionat, ai ka regjistruar vetëm një asist. Një bilanc i tillë konsiderohet larg pritshmërive për një lojtar ofensiv që pritet të bëjë diferencën në fazën sulmuese.
Rënia e formës së Rashicës vjen në një moment delikat për Beshiktashin, i cili synon të mbetet konkurrues në garat vendore. Mungesa e produktivitetit nga banka po e kufizon ndjeshëm fleksibilitetin taktik të skuadrës, duke e bërë më të vështirë ndryshimin e ritmit të lojës gjatë ndeshjeve.
Nëse kjo situatë vazhdon, presioni mbi Rashicën pritet të rritet edhe më shumë, ndërsa nuk përjashtohet që ai të humbasë më tej hapësirat në formacion.







