Rashiq: Vendimi i Qeverisë për targat vjen pas kërkesave të shumta të qytetarëve në veri

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq ka reaguar pas vendimit të djeshëm të Qeverisës ë Kosovës për zgjatjen e afatit të regjistrimit të veturave me targa ilegale deri më 1 dhjetor.

Rashiq tha se ky vendim ka ardhur pas kërkesave të shumta të qytetarëve, kryesisht nga veriu i Kosovës, dhe si i tillë është një tjetër dëshmi e pragmatizmit dhe punës, në përputhje me nevojat e bashkëqytetarëve.

“Ky vendim i Qeverisë vjen pas kërkesave të shumta të qytetarëve kryesisht nga veriu i Kosovës, dhe si i tillë është një tjetër dëshmi e pragmatizmit të punës sonë, në përputhje me nevojat e bashkëqytetarëve tanë”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës e ka zgjatur afatin për regjistrim me targa ilegale serbe deri më 1 dhjetor të këtij viti, raporton teve1.info

Sipas komunikatës së Qeverisë, vendimi u mor në mbledhjen elektronike për vazhdim të këtij afati nga 28 tetori kur ishte caktuar afati i fundit, deri më 1 dhjetor 2023.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka ndryshuar dhe plotësuar vendimin e Qeverisë Nr.05/103 të datës 28 tetor 2022, duke zgjatur kështu afatin për regjistrimin me benefite financiare për pronarët e automjeteve me denominimet “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” deri me 1 dhjetor 2023. Ky ndryshim vjen si rezultat i kërkesës së madhe të shënuar së fundmi për regjistrim të automjeteve me targa RKS”, thuhet në komunikatë.

Sipas Qeverisë, pas kësaj date, veturat e regjistruara me targat serbe nuk do të kenë mundësinë që të regjistrohen më me RKS.

“Vendim i ri, po ashtu parasheh që pas datës 1 dhjetor 2023, pronarët e mjeteve të pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori i vitit 1999 deri me datë 21 prill 2022, nuk do të kenë më mundësinë që këto mjete t’i regjistrojnë me targa RKS, të hyjnë apo të qarkullojnë në dhe përmes territorit të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.