Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ratifikohet marrëveshja për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes

Ratifikohet marrëveshja për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes

Kuvendi i Shqipërisë ka ratifikuar me procedurë të përshpejtuar marrëveshjen për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes, pas ftesës së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, raporton Anadolu.

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”, është miratuar me 110 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, nga 140 deputetë që ka Kuvend i Shqipërisë.

Marrëveshja në fjalë u miratua në parim më 21 janar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë.

Gjatë fjalës në seancë, kryeministri Edi Rama e ka konsideruar pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes si “Një tjetër mundësi për të dhënë kontribut për paqen”.

Deputetët e opozitës nga Partia Demokratike kundërshtuan miratimin e marrëveshjes në fjalë me procedurë të përshpejtuar, duke pretenduar se është shkelur rregullorja dhe Kushtetuta, por në fund votuan pro saj.

Sipas Kuvendit të Shqipërisë, ligji për ratifikimin e marrëveshjes do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare të Shqipërisë, ndërkohë është raportuar se Presidenti Bajram Begaj ka dhënë autorizim për kryeministrin Rama për pjesëmarrjen në Bordin e Paqes.

-“Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, zhvillim me rëndësi të veçantë për diplomacinë e vendit”

Sipas autoriteteve shqiptare, pjesëmarrja e Republikës së Shqipërisë në Bordin e Paqes përbën një zhvillim me rëndësi të veçantë për politikën e jashtme dhe diplomacinë e vendit. Gjithashtu theksohet se ky angazhim është një njohje e drejtpërdrejtë ndërkombëtare për rolin konstruktiv, të besueshëm dhe të përgjegjshëm që Shqipëria ka ndërtuar ndër vite në fushën e paqes, sigurisë dhe stabilitetit global.

“Marrëveshja synon krijimin e Bordit të Paqes si një organizatë ndërkombëtare, me personalitet ligjor ndërkombëtar, me qëllim promovimin e stabilitetit, rivendosjen e një qeverisjeje të besueshme e të ligjshme, si dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti”, thuhet në relacionin e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë mbi çështjen në fjalë.

Sipas Qeverisë së Shqipërisë, statusi i anëtarit themelues i jep Shqipërisë një rol aktiv dhe të barabartë në formësimin e vizionit, parimeve dhe arkitekturës vendimmarrëse të këtij mekanizmi ndërkombëtar. “Ky status rrit ndjeshëm profilin dhe vizibilitetin e vendit në skenën globale, duke e pozicionuar si faktor stabiliteti dhe aktor paqeje në një proces që synon t’i japë fund një konflikti shumëdekadash në Lindjen e Mesme”, theksohet ndër të tjera nga Qeveria e Shqipërisë.

– Ftesa nga Trump

Disa ditë më parë, kryeministri Edi Rama, konfirmoi se Trump ka dërguar ftesë për përfaqësimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, sipas tij si anëtar themelues.

Këtë ftesë Rama e konsideroi si një “respekt e vlerësim krejt të posaçëm” nga Trump.

Presidenti i SHBA-së, Trump, njoftoi disa ditë më parë formimin e Bordit të Paqes për Rripin e Gazës.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë njoftoi gjithashtu anëtarët e komitetit të ri “teknokratik” që do të mbikëqyrë tranzicionin e pushtetit në Rripin e Gazës, si pjesë e planit me 20 pika të Trumpit për t’i dhënë fund luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza.