Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka reaguar pas zhvillimeve në Kuvendin e Kosovës.
Thaçi, ka thënë se dhuna në Kuvend është e patolerueshme dhe “pamje e tmerrshme për Kosovën në botë”, shkruan Periskopi.
“I ftoj deputetët që të vazhdojnë me punën e tyre, pavarësisht taktikave të rrezikshme të kundërshtarëve të liberalizimit të vizave. Demarkacioni duhet të kaloj sot”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Sipas Thaçit, kalimi i demarkacionit është ajo çfarë presin qytetarët e vendit.
“Votimi i demarkacionit nënkupton lëvizje të lirë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Mjaft kemi humbur tre vjet me kauza të rrejshme, që po mbajnë Kosovën dhe qytetarët të izoluar. Tani është momenti i së vërtetës dhe i veprimit. Vendimi i deputetëve pro ratifikimit të marrëveshjes është vullnet i qytetarëve që duan t’i përqafojnë vlerat evropiane. Mos lejoni që të sfidoheni nga askush, sidomos jo nga ata që duan ta mbajnë Kosovën larg vlerave evropiane dhe të izoluar”, ka shkruar Presidenti.