Refuzohet integrimi i 23 ish-policëve të MUP-it, s’e kalojnë “verifikimin e sigurisë”

Njëqindenjëmbëdhjetë ish-pjesëtarë të MUP-it të Serbisë, respektivisht 39 punëtorë administrativë, 34 zjarrfikës, 23 ish-policë, si dhe 15 pjesëtarë të Drejtorisë për Ushqim në MUP-in e Serbisë edhe më tutje nuk janë integruar në institucionet e shtetit të Kosovës, ashtu siç ishte arritur marrëveshja në Bruksel, thuhet në një raport të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Derisa për integrimin e 39 ish-punëtorëve administrativë të MUP-it serb, si dhe për 34 zjarrfikës garantohet integrimi i tyre në institucionet e shtetit të Kosovës, një gjë e tillë nuk mund të thuhet për 23 ish-policë të MUP-it të Serbisë, si dhe për 15 ish-pjesëtarë të Drejtorisë së Ushqimit në MUP-in e Serbisë, shkruan gazeta “Zëri”.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, drejtor i të cilës është Marko Gjuriq, ka dalë me një raport lidhur me zbatimin e Marrëveshjes për Integrimin e ish-pjesëtarëve të MUP-it të Serbisë dhe të ish-pjesëtarëve të së ashtuquajturës “Mbrojtje Civile” (Civilna Zastita) në institucionet e shtetit të Kosovës.

“111 ish-pjesëtarë të MUP-it të Serbisë, respektivisht 39 punëtorë administrativë, 34 zjarrfikës, 23 ish-policë, si dhe 15 pjesëtarë të Drejtorisë për Ushqim në MUP-in e Serbisë edhe më tutje nuk janë integruar në institucionet kosovare. Në këtë periudhë nuk është mbajtur asnjë takim i Komisionit për Integrimin e 39 ish-punëtorëve administrativë të MUP-it, derisa përfaqësuesit e BE-së kanë përsëritur se 39 ish-punëtorët administrativë dhe 34 zjarrfikësit domosdoshmërisht do të integrohen. Mirëpo, për çështjen e 23 ish-policëve të MUP-it, si dhe të 15 ish-pjesëtarëve të Drejtorisë së Ushqimit të MUP-it të Republikës së Serbisë, sipas BE-së, Prishtina ka refuzuar t’i integrojë për shkak se 23 ish-policët nuk e kanë kaluar kriterin “verifikimi i sigurimit”, si dhe që institucionet e Prishtinës nuk kanë vende pune që u përgjigjen punëve që kanë kryer 15 ish-pjesëtarët e MUP-it të Republikës së Serbisë, pasi që për shërbime të kësaj natyre janë angazhuar kompani private”, sqarohet në raportin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, të cilin e përcjellin mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës.