Regjimi sirian shpall Assadin fitues të “zgjedhjeve presidenciale”

Udhëheqësi i regjimit sirian Bashar al-Assad u shpall fitues i “zgjedhjeve presidenciale” të enjten që u mbajtën me kandidatë jofunksionalë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Rezultatet e zgjedhjeve u njoftuan nga agjencia e lajmeve e regjimit SANA.

Sipas SANA-s, kryetari i parlamentit të regjimit, Hamouda Sabbagh njoftoi se Assadi ka fituar 95.1 për qind të votave.

Ai tha se pjesëmarrja e votuesve ishte rreth 78 për qind, ndërsa më shumë se gjysma e qytetarëve të vendit nuk mund të shkojnë në votime.

Sipas tij, Assadi mori 13.5 milionë vota. Sabbagh theksoi se Mahmoud Ahmad Marei, një nga kandidatët, mori 3.3 për qind ose 470.276 të votave.

Assadi ka qenë fitues në çdo zgjedhje që nga marrja e pushtetit në vitin 2000 si trashëgimtar i babait të tij, Hafez al-Assad.

Vendimi për të mbajtur zgjedhjet u mor pavarësisht konfliktit ushtarak, mungesës së një zgjidhjeje politike, dështimit të negociatave midis opozitës dhe regjimit dhe zhvendosjes së më shumë se 10 milionë sirianëve, si refugjatë ose si persona të zhvendosur brenda vendit.

Për më tepër, rreth 40 për qind e vendit nuk është nën kontrollin e regjimit. /aa