Regjistri i taksave tregon 3 llogari bankare të Trumpit jashtë shtetit

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka llogari bankare në 3 vende të ndryshme të huaja, njëra prej tyre në Kinë, të cilën ai e ka kritikuar shumë gjatë viteve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ndërsa dy vendet e tjera janë Britania e Madhe dhe Irlanda. Llogaria e presidentit në Kinë kontrollohet nga Trump International Hotels Management LLC, e cila pagoi 188,56 dollarë taksa për Pekinin nga 2013 në 2015, thuhet në një raport të “New York Times”.

Llogaritë e huaja bankare të Trumpit mbahen me emra të korporatave dhe kjo është arsyeja pse ato nuk shfaqen në formularët e tij të zbulimit të financave publike, thuhet në raport.

Alan Garten, avokati i organizatës Trump tha për “Times” se llogaria u hap pasi organizata Trump hapi një zyrë në Kinë në përpjekje për të eksploruar mundësitë e biznesit në industrinë e hotelit.

”Asnjë marrëveshje, transaksion ose veprimtari tjetër biznesi nuk është materializuar kurrë dhe që nga viti 2015, zyra ka mbetur joaktive”, tha Garten për “Times”. “Megjithëse llogaria bankare mbetet e hapur, ajo kurrë nuk është përdorur për ndonjë qëllim tjetër”, tha ai.

Një gjykatë amerikane e apelit në Manhattan më 7 tetor vendosi që Trump duhet t’ia dorëzojë të dhënat e tij tatimore një prokurori në shtetin e New York-ut, megjithëse avokatët e tij kanë mundësi të apelojnë vendimin në Gjykatën e Lartë.

Derisa Trump refuzon prej kohësh që t’i bëjë publike regjistrat e taksave të tij, Gjykata e Lartë vendosi kundër tij në korrik kur presidenti argumentoi se ai nuk mund të hetohet as të akuzohet përderisa drejton Shtëpinë e Bardhë.

Si arsye për mosndarjen regjistrave të tij tatimore, Trump potencon se po hetohet nga Shërbimi i Brendshëm i të Ardhurave në lidhje me një rimbursim të taksës prej 72.9 milionë dollarë që ai mori.

Trump nuk ka paguar asnjë taksë federale mbi të ardhurat në 10 nga 15 vitet e fundit, thuhet në një raport të “New York Times” më 28 shtator, i cili thotë se ish-biznesmeni paguante vetëm 750 dollarë taksa federale për të ardhurat vitin që mori detyrën në vitin 2016 dhe 750 dollarë të tjera në vitin 2017.

Ndërsa Trump ka pretenduar prej kohësh se Kina po “shkatërron” SHBA-të në marrëdhëniet tregtare, ai nisi një konflikt tregtar me Pekinin pasi mori detyrën dhe kritikoi Kinën për COVID-19 që shkaktoi recesionin më të rëndë ekonomik në SHBA që nga “Depresioni i Madh”.