Ballina Kuriozitete Reliktet e lashta egjiptiane që mund të rishkruajnë historinë pas 5 mijë...

Reliktet e lashta egjiptiane që mund të rishkruajnë historinë pas 5 mijë vitesh

Matt Beall, drejtues i zinxhirit të dyqaneve Bealls në SHBA, pretendon se ka zbuluar një koleksion prej 85 enësh egjiptiane të lashta, të gdhendura në gurë të fortë si granit dhe kuarc, të cilat sipas tij sfidojnë të gjitha njohuritë e deritanishme për teknologjinë e lashtë.

Ai thotë se precizioni dhe simetria e këtyre objekteve, të punuara mbi 5 mijë vite më parë, nuk mund të shpjegohet me mjetet primitive të njohura, por vetëm me përdorimin e një tornoje apo teknologjie të humbur.

“Shpjegimi që jepet zakonisht është se janë përdorur daltë prej guri apo bakri, kjo është qesharake. Është e sigurt që është përdorur torno. Por mjetet e nevojshme për t’i bërë këto objekte nuk ekzistojnë në të dhënat arkeologjike”, tha Beall gjatë një konference për historinë.

Beall ka bashkëpunuar me inxhinierë dhe studiues për të analizuar objektet me skanime me rreze X dhe teknologji të avancuar matëse. Skanimet kanë zbuluar forma pothuajse perfekte dhe devijime shumë të vogla. Një studim tjetër sugjeron se precizioni i tyre tejkalon edhe makineritë moderne.

Megjithëse shumë arkeologë e kundërshtojnë teorinë, Beall mbështetet edhe në vëzhgime historike si ato të Flinders Petrie. Ky i fundit në shekullin XIX dyshonte se enët mund të ishin përpunuar me pajisje mekanike.

“Forma e lakuar e enëve është kaq e rregullt, dhe lustrimi kaq i imët, saqë duket sikur është përdorur ndonjë mjet mekanik”, shkruante Petrie.

Disa teori shkojnë më tej, duke i lidhur këto objekte me një civilizim të avancuar të zhdukur para epokës së njohur si Younger Dryas, rreth 11,600 vjet më parë.

Pavarësisht mungesës së provave të drejtpërdrejta për mjetet e përdorura, Beall këmbëngul se gjetjet përbëjnë sfidë për historinë tradicionale të qytetërimeve të lashta./tvklan.al