Revista franceze “Charlie Hebdo” me karikaturë skandaloze pas tërmeteve në Turqi

Revista franceze “Charlie Hebdo” ka shkaktuar zemërim dhe reagime të ashpra pas publikimit të karikaturës skandaloze duke tallur Turqinë pas tërmeteve vdekjeprurëse që goditën vendin të hënën, raporton Anadolu.

Karikatura e shpërndarë me titullin “karikatura e ditës” në Twitter, tregon ndërtesa të shembura dhe të dëmtuara, një automjet të përmbysur dhe kodra rrënojash.

“Tërmet në Turqi”, shkruhej në këndin e djathtë lart të karikaturës. “Nuk ishte as nevoja për të dërguar tanke”, shkruhej në fund.

Në rrjetet sociale ka pasur reagime të ashpra si dhe zhgënjim dhe zemërim ndaj postimit të neveritshëm.

“Charlie Hebdo” është një revistë satirike franceze e njohur gjithashtu për karikaturat e saj që fyen Profetin Muhamed.

Të paktën 3.432 persona humbën jetën dhe 21.103 të tjerë janë plagosur në 10 provinca të Turqisë pasi dy tërmete të fuqishme goditën pjesën jugore të vendit, tha sot një zyrtar nga Agjencia Turke e Fatkeqësive (AFAD).

Mëngjesin e djeshëm, një tërmet i fuqishëm 7.7 ballë, epiqendra e të cilit u regjistrua në qarkun Pazarcık tronditi qarkun Kahramanmaraş dhe preku rëndë disa provinca, përfshirë Gaziantep, Şanlıurfa, Diyarbakır, Adana, Adıyaman, Malatya, Osmaniye, Hatay dhe Kilis.

Ndërsa pasditen e djeshme, një tërmet tjetër 7.6 ballë sërish goditi qarkun Kahramanmaraş, ndërsa epiqendra e saj ishte në qarkun Elbistan.