“Rezolutat e Malit të Zi dhe Kosovës mbi gjenocidin në Srebrenicë janë shumë të rëndësishme”

Anëtari i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Shefik Xhaferoviç tha të premten në Sarajevë se është shumë me rëndësi fakti që parlamentet e Malit të Zi dhe Kosovës kanë miratuar rezoluta mbi gjenocidin e Srebrenicës dhe se kjo është rruga që duhet të ndiqet nga i gjithë rajoni, raporton Anadolu Agency (AA).

Xhaferoviç mori pjesë në përcjelljen e kolonës me arkivolët e 19 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, e cila kaloi sot para ndërtesës së Presidencës së BeH-së ndërsa më pas vazhdoi për në Potoçari, ku të dielën më 11 korrik do t’u falet namazi i xhenazes dhe kryhet varrimi në Qendrën Memoriale Srebrenica – Potoçari.

“Deri në fund të botës, deri në Ditën e Gjykimit, do të kujtojmë dhe do të bëjmë nderim për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë. E gjithë bota e civilizuar po e bën këtë dhe çdo herë do t’u bëjmë thirrje atyre që nuk e kanë bërë ende atë, që më në fund të marrin rrugën që po merr e gjithë bota e civilizuar”, tha Xhaferoviç.

Ai tha se ky është pikëllim i madh dhe dhimbje e madhe dhe se familjeve të viktimave të gjenocidit duhet t’u jepet respekt.

“Më vjen keq që ne ende nuk jemi në atë nivel në BeH sot. Mendoj për elitat fetare, kulturore dhe intelektuale të popullit serb nga Republika Sërpska dhe elitat e njëjta të popullit serb nga Republika e Serbisë”, tha Xhaferoviç.

Megjithatë, siç theksoi ai, është shumë e rëndësishme që rajoni i Ballkanit Perëndimor të ndjek këtë rrugë. Ai nënvizoi se “rezolutat e miratuara nga parlamentet e Malit të Zi dhe Kosovës janë shumë të rëndësishme”.

“Mendoj se kjo është rruga që duhet të shkojmë të gjithë së bashku, për të përballuar thjesht të kaluarën dhe pastaj të shkojmë përpara për të ndërtuar marrëdhëniet tona. Kjo është rruga që BeH dhe e gjithë rajoni duhet të ndjekin”, tha Xhaferoviç.

Duke kujtuar më tej se Tribunali i Hagës ka përfunduar punën e tij, Xhaferoviç u bëri thirrje institucioneve gjyqësore të BeH-së të ndjekin penalisht të gjithë ata që kanë kryer krime, veçanërisht kur bëhet fjalë për gjenocidin në Srebrenicë.

“Askush nuk duhet të mbetet pa u ndëshkuar, kushdo në çfarëdo mënyre që ka marrë pjesë në kryerjen e gjenocidit të vetëm në Evropë dhe krimit më të madh në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore”, theksoi Xhaferoviç. /aa