Rimëkëmbja ekonomike nga Covid në SHBA dhe Kinë i tejkalon të gjitha vendet e tjera

Ndërsa ekonomitë në mbarë botën po rimëkëmben nga pandemia COVID-19, dy superfuqitë kryesore janë duke ecur përpara me shpejtësi.

Dy ekonomitë më të mëdha në botë, Kina dhe Shtetet e Bashkuara, kanë tejkaluar tashmë nivelet e tyre përpara fillimit të pandemisë sipas një indikatori kryesor, duke ndihmuar në fuqizimin e rimëkëmbjes globale nga COVID-19.

Ekonomia kineze parashikohet të jetë rritur me 10.6% gjatë gjithë vitit 2021, krahasuar me vitin 2019, viti kur koronavirusi u shfaq për herë të parë në Wuhan.

Të dhënat nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, të publikuara në dhjetor, treguan se PBB-ja kineze ishte në rrugën e duhur për të arritur vlerën 15.66 trilion dollarë (13.84 trilionë euro) kundrejt 14.15 trilion dollarëve që ishte në vitin 2019.

Gjatë së njëjtës periudhë, PBB-ja e SHBA-së vlerësohet të jetë rritur me 2% dhe tani kap vlerën e 20.3 trilion dollarëve.

Megjithatë, edhe për vendet më të pasura të botës, rimëkëmbja pas pandemisë mbetet e pabarabartë.

Japonia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe India mbeten prapa

Japonia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar – tre ekonomitë e tjera që përbëjnë 5 ekonomitë më të mëdha botërore – ende nuk janë rikuperuar plotësisht nga emergjenca shëndetësore.

Produkti i brendshëm bruto i Japonisë (PBB) parashikohet të jetë gati 3% më i vogël në vitin 2021 se në vitin 2019, ekonomia gjermane 2% më e vogël dhe ajo e Mbretërisë së Bashkuar 3.4% më e vogël.

Ndërprerjet e mëdha në zinxhirët e furnizimit po pengojnë rimëkëmbjen e ekonomisë gjermane dhe të asaj japoneze, duke vonuar dërgesat e lëndëve të para dhe të mallrave të tjera në mbarë botën. Sektori i automobilave është ndër më të goditurit nga kjo situatë.

Ekonomia e Britanisë ka marrë gjithashtu një goditje nga vonesat e transportit dhe problemet e tjera të logjistikës, të cilat vështirësuan efektet e largimit të vendit nga Bashkimi Europian.

Sipas parashikimeve të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, ekonomitë e të tre vendeve do t’i kenë tejkaluar nivelet që kishin para fillimit të COVID, deri në fund të vitit 2022.

India nuk mbetet shumë prapa. Ndërsa ekonomia e Indisë pritej të rritej me një shifër të pabesueshme prej 9.5% në vitin 2021 dhe 8.5% në vitin 2022 (projeksionet e FMN), PBB-ja totale në 2021 u vlerësua 2.71 trilion dollarë, 1% më e ulët se ajo përpara goditjes së COVID.

Sa e rëndë ishte goditja që mori bota?

Pasi izolimet e para bllokuan ekonomitë e shumë vendeve, të dhënat nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik tregojnë se PBB-ja totale globale ra me 9.7% brenda një hapësire kohore prej vetëm 6 muajsh.

U deshën gjashtë tremujorë që PBB-ja totale botërore të rikuperohej plotësisht dhe të tejkalonte nivelin e saj të mëparshëm.

Vlera totale monetare e tregtisë dhe e shërbimeve globale tani është 94 trilion dollarë, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ajo parashikohet të rritet me një të dhjetën deri në fund të vitit 2023.

Rimëkëmbja globale varet shumë nga fati i dy ekonomive kryesore të botës. Së bashku, SHBA dhe Kina përbëjnë 35% të PBB-së globale, sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.

Prodhimi, ndërtimi dhe industria minerare janë ndër industritë më të mëdha të Kinës, ndërsa pasuria e SHBA-së i atribuohet sektorëve të financave, të sigurimeve dhe të pasurive të paluajtshme, së bashku me shërbimet profesionale dhe të biznesit.

Pesë ekonomitë më të mëdha në botë tani përbëjnë më shumë se gjysmën e të gjithë PBB-së globale, sipas të dhënave nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Një vështrim më i afërt i vlerësimeve të FMN përpara Krishtlindjeve nga faqja e internetit Visual Capitalist tregoi se vetëm PBB-ja e SHBA-së është më e madhe se PBB-ja e përbashkët e 170 vendeve.

Ekonomistja zvicerane Dina Pomeranz vuri në dukje në Twitter se Franca, një vend me 65 milionë banorë, ka një GDP të përafërt me atë të të gjithë Afrikës, e cila ka një popullsi prej 1.4 miliardë banorësh. /dw