Rinumërimi i madh i kutive të votimit, mund të sjell ndryshime në numrin e votave të kandidatëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka marrë vendim për rinumërimin e 280 kutive tjera të votimit. Ky vendim vjen pas rekomandimit të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve (QNR) se këto kuti nuk kanë mundur të procedohen tutje. Pas këtij vendimi, numri i përgjithshëm i kutive të votimit që i nënshtrohen rinumërimit është 425. Me herët janë rinumëruar 145 kuti.

Albert Krasniqi nga Demokracia në Veprim, ka thënë për Telegrafin se deri te rinumërimi i kutive të votimit ka ardhur për shkak të mospërputhjes së numrit të votave të kandidatëve me ato të subjekteve politike. Arsyet për këto mospërputhje mund të jenë edhe tel gabimet teknike.

“Këto gabime pastaj detyrojnë QNR-në të rinumërojë kutitë. Arsye tjetër është edhe përgatitja joadekuate e komisionarëve”, ka thënë Krasniqi, i cili nuk ka përjashtuar edhe tendencat e komisionerëve për manipulim të rezultateve të kandidatëve.

“Megjithatë, rinumërimi i fletëvotimeve nga këto kuti të votimit është proces vështirë i manipulueshëm, pasi ka mbikëqyrje më të madhe në QNR dhe fokusi i të gjithë vëzhguesve është veç tek këto kuti”.

Pas rinumërimit të këtyre kutive, mundësia e ndryshimit të rezultateve tek subjektet politike nuk pritet të ndodhë.

“Ka mundësi për lëvizje të numrit të votave të kandidatëve”, u shpreh Krasniqi, sipas të cilit fakti se ka numër kaq të madh të kutive që duhet rinumëruar, nuk duhet interpretuar se zgjedhjet kanë qenë të manipuluara.

“Me këtë vihen në pah mangësitë e KQZ-së në përgatitjen e zgjedhjeve”, shton ai. “Me rreth 70 mijë fletëvotime të pavlefshme, Kosova lëre që nuk mund të krahasohet me vendet skandinave – siç pretendonte KQZ – por nuk mund të krahasohet as me ato të rajonit”. /T