Rivian do të zhvendosë stafin në fabrikën e veturave elektrike në Illinois

Rivian Automotive po zhvendos pjesë të ekipit të saj inxhinierik të prodhimit në Illinois për të përshpejtuar prodhimin, raportoi Wall Street Journal të premten, duke cituar një person të njohur me këtë çështje.

Sipas raportit të WSJ, riorganizimi, për të cilin pritet të njoftohet së shpejti, do të thotë se ata të cilët punojnë në inxhinierinë e prodhimit do t’u kërkohet që të zhvendosen në pjesën qendrore të Illinois, ose tek selia kryesore në Irvine të Kalifornisë.

“Për sa i përket rritjes së prodhimit, është e dobishme të kemi ekipet e prodhimit dhe inxhinierisë më afër objekteve tona në Normal, si dhe selisë sonë në Irvine”, tha një zëdhënës i Rivian për Reuters, por nuk pranoi të konfirmonte nëse kompania po zhvendoste ekipet.

Rivian, firma e cila prodhon kamionçinat elektrike R1T dhe SUV-të R1S në fabrikën e saj në Normal të Illinois, në muajin shkurt parashikoi se prodhimi për vitin 2023 mund të jetë më i ultë se sa pritshmëria e analistëve, teksa përballet me problemet e vazhdueshme të zinxhirit të furnizimit.

Prodhuesi i veturave elektrike ka humbur para për çdo automjet që ndërton, dhe vitin e kaluar për pak e ka humbur objektivin e tij vjetor të prodhimit prej 25,000 njësive.

Investitorët janë nervozuar nga dobësimi i kërkesës për vetura elektrike teksa rriten normat e interesit dhe gjithashtu edhe nga frika e një recesioni të afërt.