RMV: “Ngrin” çmimi i bukës, nga një marsi buka nuk do të shitet mbi 33 denarë

Të martën, më 1 mars çmimi i bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë do të “ngrijë” dhe nuk do të mund të shitet mbi 33 denarë”, paralajmëroi ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi. Ministri sqaroi se po bëhen analiza edhe për makaronat, dhe prodhimet e brumit në përgjithësi dhe ato mjete, siç tha ai, do të përdoren për heqjen e disa tarifave, që do të ndikojë edhe në uljen e çmimeve të të njëjtave produkte.

“Nuk mund të ketë dallim në çmimin e bukës nga 28 deri në 38 denarë për të njëjtën bukë. Gjithashtu, do të përcaktohet sasia dhe Inspektorati Shtetëror i Tregut do të kontrollojë jo vetëm çmimin, por edhe sasinë, sepse është konstatuar që prodhues dhe tregtarë të caktuar i ulin çmimet, por e ulin edhe sasitë e atij produkti. Prandaj, nën 450 gram bukë e bardhë dhe gjysmë e bardhë nuk mund të shitet dhe do të jetë me çmim fiks për çmimin më të lartë të mundshëm. Mund të jetë nën atë çmim, por nuk mund të jetë mbi atë”.

Sipas Bekteshit, masa do të jetë e vlefshme për aq kohë sa është në interes të qytetarëve. Çmimet, siç sqaroi Bekteshi, nuk do të rriten pas përfundimit të masës, nëse nuk rriten çmimet e lëndëve të para dhe më pas mund të ketë rritje të papritur të çmimeve.

Për pemët dhe perimet, Bekteshi tha se janë në pritje të propozimit nga Ministria e Bujqësisë, ndërsa për produktet e tjera do të bëhen analiza individuale pothuajse çdo javë dhe nëse shohin se po abuzohet, atëherë do të marrin masa.

Ministri sqaroi se disa kompani prodhuese kanë manipuluar me çmimin, gjegjësisht për të shfrytëzuar masën për subvencionimit të energjisë e kanë ulur çmimin, por njëkohësisht e kanë ulur edhe sasinë e produktit.

“Ministria e Ekonomisë i ka përfunduar të gjitha analizat për masat e subvencionimit të energjisë elektrike për industrinë, për sektorin ushqimor në vendin tonë dhe tashmë është dërguar propozim-vendim për anulimin e masës së njëjtë, duke qenë se nuk është respektuar nga ato kompani që kanë marrë energji elektrike të subvencionuar që më parë ishte dakorduar me Qeverinë.

Ministri Bekteshi tha se presin përgjigje nga legjislacioni në Qeveri nëse kjo masë do të fillojë të zbatohet nga 1 marsi, apo nga 1 prilli. Ai sqaroi se me 500 mijë eurot që i kanë aktualisht si shpenzim përmes Buxhetit, do të projektojnë masa të tjera me të cilat që do të përfitojnë konsumatorë./shenja