Robërit e All-llahut xh.sh.

Rejhan Neziri

“E kur robërit e Mi të pyesin ty për jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua!”, (el-Bekara:186).

Gjithçka që ka krijuar All-llahu xh. sh. në këtë botë është vënë në shërbim të njeriut. Pikërisht për këtë, i gjithë krijimi ka nevojë edhe për mirësinë dhe dashurinë e njeriut. Njeriu, nga ana e vet, ka nevojë për mëshirën dhe dashurinë e Krijuesit të botëve, All-llahut të Lartësuar. Kur njeriu e ndjen këtë nevojë, ai me besimin e vet, mbështetet në mëshirën hyjnore. Në një hadith kudsijj, All-llahu xh. sh. thotë se: “Kur robi Im më afrohet një pëllëmbë, Unë me madhërinë e Time i afrohem një pash (sa një krah) dhe kur robi Im më afrohet me ecje, Unë i afrohem me vrap e shpejtësi”. Pejgamberin a. s. e pyeti një herë një shok i tij duke i thënë se Zoti është larg apo afër dhe se a duhet që gjatë duasë ta ngremë zërin për të na dëgjuar Ai? Atëherë Pejgamberit iu shpall ajeti që e cekëm në fillim të hutbes.

Gjithashtu, All-llahu i Madhëruar, që na njeh neve më mirë nga ç’e njohim ne vetveten, në një hadith kudsijj, na fton kështu në lutje dhe adhurim: “O robërit e Mi! Dijeni se Unë ia kam ndaluar Vetvetes dhunën dhe ua kam ndaluar edhe juve në mesin tuaj! Mos e dhunoni (mos i bëni padrejtësi) njëri-tjetrin! O robërit e Mi! Të gjithë jeni të uritur, përveç atyre që kam ushqyer Unë. Prandaj, kërkoni nga Unë ushqim dhe t’ju ushqej! O robërit e Mi! Të gjithë jeni të zhveshur, përveç atyre që kam veshur Unë. Prandaj, kërkoni veshje nga Unë dhe do t’ju vesh. O robërit e Mi! Pa dyshim ju gaboni mëngjes e mbrëmje. Ai që fal mëkatet jam Unë. Kërkoni falje prej Meje që t’ju fal. O robërit e Mi! Ju nuk keni mundësi që të më shkaktoni Mua asnjë dëm. Ju nuk keni mundësi të më sillni Mua kurrfarë dobie. O robërit e Mi! Nëse njeriu më i parë dhe më i fundit të kishte zemrën më bujare (xhymerte), kjo s’do ta shtonte aspak pasurinë Time. E vetmja gjë, që mund të bëni ju, janë veprat tuaja…(Prandaj, kini kujdes se ç’vepra do të fitoni e do të çoni tek All-llahu xh. sh. në Ditën e Kijametit!)”.

Kushdo që ka kryer vepra të mira e të dashura për All-llahun xh. sh., le t’i thurë lëvdata Atij që ia ka mundësuar t’i kryejë ato. Nëse ka ndodhur ndryshe, mos të kërkojë fajtorë të tjerë përveç vetvetes, ndaj dhe për këtë arsye lutuni hapur dhe fshehtas Zotit tuaj, i Cili sheh shumë mirë se ç’bëni e si silleni ju në jetën tuaj të përditshme!

All-llahu na mëshiroftë e na faltë gabimet që i bëjmë ndaj vetvetes, ndaj të tjerëve e ndaj Tij përfundimisht! AMIN!

Nga: Rejhan Neziri