Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Robotët kinezë në Ushtrinë e Serbisë

Robotët kinezë në Ushtrinë e Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shtrëngon duart me një robot humanoid në Qendrën Kulturore Kineze në Beograd, më 2 shkurt 2026.

“Mijëra robotë të armatosur” në kuptimin ushtarak duken më shumë si një mesazh marketingu sesa një plan real, thotë për Radion Evropa e Lirë Nikolla Lluniq, konsulent në fushën e gjeopolitikës dhe sigurisë në Beograd.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi në fillim të shkurtit se Serbia do të ketë “mijëra robotë të armatosur” nga Kina në paradën e ardhshme ushtarake gjatë vitit 2026.

Në këtë mënyrë, sipas tij, shteti do të sigurohet edhe më shumë.

“Por, për të gjitha këto, më duhet t’i lutem presidentit të Kinës, Xi Jinping, dhe shpresoj që si mik i Serbisë të na ndihmojë”, tha Vuçiq më 2 shkurt.

Atë ditë, ai u përshëndet edhe me Luka-n, një robot humanoid kinez, i cili u prezantua nga kompanitë Minth Group dhe AGIBOT Innovation në Qendrën Kulturore Kineze në Beograd.

AGIBOT – një kompani e themeluar në vitin 2023 në Shangai – merret me integrimin e inteligjencës artificiale dhe robotikës, me qëllim prodhimin e robotëve për përdorim të përgjithshëm, të cilët mund të mësojnë dhe të përshtaten për përdorim masiv dhe komercial.

Përveç synimeve që gjatë vitit 2026 të nisë prodhimi i këtyre robotëve edhe në Serbi, Vuçiq përmendi edhe mundësinë e blerjes së robotëve të armatosur nga Kina.

Por, deri tani, asnjë institucion tjetër shtetëror nuk i ka konfirmuar apo komentuar këto deklarata.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse ekziston një plan konkret për blerjen e robotëve të armatosur nga Kina për Ushtrinë e Serbisë, apo nëse ajo është konsultuar lidhur me këtë ide.

Lluniq thotë se ushtritë moderne ende nuk kanë robotë humanoidë të armatosur, që janë operacionalë në terren.

Ai shton se përvoja kineze tregon që robotët humanoidë kinezë përdoren kryesisht për mbikëqyrje dhe logjistikë dhe nuk i zëvendësojnë ushtarët në luftime.

Ushtria e Serbisë tashmë përdor armatim kinez – nga dronët luftarakë deri te sistemi raketor kundërajror FK-3.

Bashkëpunimi ushtarak midis Beogradit dhe Pekinit zhvillohet pa pengesa, pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli dhe Uashingtoni.

Sa do t’i kushtonte Serbisë blerja e robotëve nga Kina?

Lluniq vlerëson se blerja e robotëve humanoidë për nevojat e Ushtrisë së Serbisë, do të ishte një barrë e madhe financiare dhe operacionale për vendin.

“Sipas kontratave ekzistuese kineze, 500 robotë humanoidë industrialë kanë kushtuar rreth 37 milionë dollarë, që do të thotë rreth 74.000 dollarë një robot. Nëse Serbia do të porosiste ‘mijëra’ robotë, shpenzimet do të arrinin në qindra miliona dollarë, çka do të përbënte një goditje të madhe për buxhetin”, shpjegon Lluniq.

Ai shton se kësaj duhet t’i shtohen edhe kostot e mirëmbajtjes dhe integrimit të këtyre sistemeve, të cilat kërkojnë staf të specializuar, logjistikë dhe përditësime të shpeshta të softuerit.

“Kjo do të përbënte një sfidë serioze për një ushtri relativisht të vogël dhe me kapacitete të kufizuara teknologjike”, thotë Lluniq.

Çfarë robotësh ushtarakë përdor Kina?

Në paradën ushtarake në Pekin më 3 shtator, ku mori pjesë edhe Vuçiq, u prezantuan të ashtuquajturit “robotë ujqër” të armatosur.

Këta robotë janë të aftë të kryejnë manovra dhe operacione në terrene komplekse. Ata mund të transportojnë armë për ushtarët dhe të ndihmojnë në pastrimin e terrenit nga minat.

Në nëntor të vitit 2025, televizioni shtetëror kinez transmetoi pamje nga një stërvitje ushtarake ku, përveç armëve të tjera, u përdorën edhe “robotët ujqër”, në një skenar të simuluar luftarak.

Më 25 nëntor, portali South China Morning Post raportoi se kompania kineze UBTech Robotics fitoi një kontratë me vlerë prej 37 milionë dollarësh, për të vendosur robotë humanoidë në shërbim, përgjatë kufirit me Vietnamin.

Roboti humanoid Walker S2, i prezantuar në korrik të vitit 2025, konsiderohet roboti i parë në botë që mund t’i ndërrojë vetë bateritë, pa ndërhyrje njerëzore.

Në shkurt të vitit 2026, në Panairin Botëror të Armatimit në Riad të Arabisë Saudite, një prodhues kinez prezantoi sistemin kundërtank PF-070.

Bëhet fjalë për një robot luftarak me katër këmbë, i pajisur me raketa dhe i projektuar për operacione luftarake në terren.

Sipas Indeksit të Gatishmërisë për Inteligjencën Artificiale, të publikuar nga organizata britanike Oxford Insights në bashkëpunim me Qendrën Ndërkombëtare për Kërkime në Zhvillim, me seli në Kanada, Kina renditet në vendin e tetë në botë.

Në krye të listës qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Singapori, Mbretëria e Bashkuar, Finlanda, Kanadaja dhe Franca, ndërsa Serbia renditet në pozitën e 57-të në mesin e 193 vendeve.

Cilat janë gjasat e Serbisë për blerje të reja armësh nga Kina?

Vuçiq, pas pjesëmarrjes në paradën ushtarake në Pekin më 3 shtator, deklaroi se ka parë “çfarë do të ishte interesante të blihej për nevojat e Ushtrisë së Serbisë”.

Ai tha se zyrtarët serbë kanë zhvilluar bisedime me përfaqësues të më shumë se dhjetë kompanive ushtarake kineze, por nuk dha detaje të mëtejshme për marrëveshje konkrete apo sisteme specifike.

Tre muaj më vonë, pas një mbledhjeje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Vuçiq njoftoi se Serbia synon t’i dyfishojë kapacitetet e saj ushtarake në periudhën e ardhshme, duke sinjalizuar mundësinë e investimeve të reja në armatim dhe teknologji ushtarake.

“Përveç burimeve njerëzore, të cilat do t’i rrisim për 30 për qind, gjithçka tjetër do të rrisim për 100 për qind. Një pjesë e mjeteve është nga vendi, ndërsa pjesën tjetër e blejmë jashtë. Ky është i vetmi faktor që ndalon kërcënimet. Duhet të mbështetemi te vetja jonë”, tha Vuçiq më 4 janar.

Ai nuk specifikoi se çfarë armësh dhe pajisjesh ushtarake do të blejë Serbia jashtë vendit. Gjithashtu, nuk tregoi se kundër kujt duhet të mbrohet Serbia.

Çfarë dhe sa armë importon Serbia nga Kina?

Miqësia e fortë mes Serbisë dhe Kinës, e cila reflektohet kryesisht në projektet e infrastrukturës përmes iniciativës “Brezi dhe Rruga”, mori vrull në vitin 2020, kur Ushtria e Serbisë prezantoi dronët kinezë CH92-A.

Kjo ishte blerja e parë e armëve kineze, të cilat hynë në përbërjen luftarake të Ushtrisë së Serbisë, dhe Serbia u bë vendi i parë evropian që importoi pajisje aviacioni kinez.

Me kalimin e viteve, pasoi blerja e dronëve luftarakë CH-95 dhe sistemeve antiajrore FK-3 dhe HQ-17.

Sipas të dhënave nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), nga viti 2020 deri në vitin 2024, Serbia importoi më shumë armë nga Kina (57 për qind), ndjekur nga Rusia (20 për qind) dhe Franca (7.4 për qind).

Në dy vjetët e fundit, industria serbe e mbrojtjes importoi mallra me vlerë rreth 240 milionë euro nga Kina, sipas të dhënave doganore që siguroi Radio Evropa e Lirë.

Cilat mund të jenë pasojat?

Përkeqësimi i marrëdhënieve Beograd-Bruksel dhe Beograd- Uashington është, sipas Lluniqit, pasojë e pashmangshme nëse Serbia vazhdon me blerjet e armatimit nga Kina.

“Nga Brukseli do të vijnë patjetër nota diplomatike për bashkëpunimin e padëshirueshëm të Serbisë me Kinën, ndërsa nga Uashingtoni do të kërkojnë prova për angazhimin e Serbisë në përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe me Shtetet e Bashkuara”, thotë Lluniq.

Nëse Beogradi i injoron këto paralajmërime, ai nuk e përjashton mundësinë e “ndonjë lloji sanksionesh”.

Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja i kanë paralajmëruar disa herë zyrtarët serbë për rreziqet e thellimit të bashkëpunimit ushtarak me Kinën. Megjithatë, deri tani nuk janë marrë masa konkrete. /rel