Rodrigo Chavez zgjidhet president i Kosta Rikës

Rodrigo Chavez

Fituesi u caktua në raundin e dytë, pasi në të parin asnjëri nga kandidatët nuk mori votat e nevojshme

Qytetarët e Kosta Rikës zgjodhën presidentin e tyre të ardhshëm të dielën pas zgjedhjeve të polarizuara të cilat u shënuan nga një abstenim i lartë, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas 96 për qind të votave të numëruara, ekonomisti Rodrigo Chavez fitoi raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale me 52,9 për qind, kundrejt 47,1 për qind ndaj ish-presidentit dhe kandidatit rival Jose Maria Figueres.

Chavez ishte ministër i financave në vendin e Amerikës Qendrore për gjashtë muaj midis 2019 dhe 2020, pasi mbajti disa poste në Bankën Botërore.

Ish-presidenti Figueres pranoi humbjen menjëherë pasi gjykata zgjedhore shpalli rezultatet.

“Unë e përgëzoj Rodrigo Chavez dhe i uroj atij më të mirat. Kosta Rika votoi dhe populli foli. Ne, si demokratë që jemi, do ta respektojmë gjithmonë këtë vendim”, tha Figueres.

Figueres premtoi gjithashtu se do të ndihmojë në “shpëtimin” e vendit.

“Përballë kësaj krize dhe kësaj emergjence, është koha që ta lëmë pas mesazhin e antagonizmit, urrejtjes, ndarjes dhe të ecim përpara së bashku, duke lënë mënjanë dallimet”, tha ai.

Fushata mes dy kandidatëve ishte bërë agresive ditët e fundit. Ndërsa Figueres dyshohet për korrupsion gjatë kohës së tij si president, në vitin 2019, Chavez u dënua me disa sanksione të brendshëm pasi u akuzua për ngacmim seksual nga disa kolege femra në Bankën Botërore.

Edhe pse 3,5 milionë njerëz kishin të drejtë vote, zgjedhjet e raundit të parë dhe të dytë u karakterizuan me pjesëmarrje të ulët të votuesve. Sipas Tribunalit Zgjedhor, përqindja e abstenimit arrin në 42,85 për qind, madje më e lartë se ajo e raundit të parë.

Chavez merr drejtimin e një vendi të goditur nga shkalla e papunësisë, mungesa e mundësive dhe krimi në rritje pas goditjes së pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

Papunësia ishte rreth 14,4 për qind në 2021, ndërsa rreth 23 për qind e popullsisë së Kosta Rikës jeton në varfëri. /aa