Roli i fesë në jetën shoqërore

Rejhan Neziri

Vëllezër të nderuar!

Feja është tërësi rregullash hyjnore që njeriun e mençur në bazë të vullnetit të tij e çojnë drejt lumturisë dhe mirëqenies së kësaj dhe të asaj bote.

Feja ia tregon njeriut natyrën dhe karakterin e tij, nga ka ardhur dhe ku do të shkojë, ia mëson qëllimin përse ai ka ardhur në këtë botë. Ia kumton detyrat e robërisë ndaj Krijuesit të vet dhe detyrat e njerzillëkut ndaj krijesave si ai vetë. Feja e kuptuar në këtë mënyrë, sigurisht që është feja islame. All-llahu xh. sh. në Kur’anin fisnik thotë: “Feja e pranueshme tek All-llahu është Islami”, (Alu Imran:19), kurse disa ajete më poshtë në po të njëjtën sure (ajeti në fillim të hutbes) thotë: “E, kush kërkon fe tjetër përveç fesë islame, atij kurrsesi nuk i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë nga të humburit e të dëshpëruarit”, (Alu Imran:85).

Feja është faktori më i madh që i nxit njerëzit në ndihmë reciproke e në bashkëjetesë, është faktori më i madh i cili në shoqëri e siguron dhe mbjell moralin e bukur dhe drejtësinë sociale. Kurse fjala ‘drejtësi sociale’ do të thotë që të gjithë individët e një shoqërie apo qytetarët e një shtetit të marrin të ardhurat e barabarta me të gjithë në bazë të aftësive dhe zotësive që i ka secili prej tyre. Ndjenja fetare dhe frikë-respekti ndaj Zotit, gjithnjë e mbikëqyrin njeriun dhe e mbrojnë atë nga veprat dhe sjelljet e këqija dhe e shpijnë drejt së mirës e së bukurës.

Edhe përkundër të gjitha llojeve të komforit e të mundësive teknike që i ka sot njeriu bashkëkohor, për fat të keq, tensionet dhe jorehatitë fizike e psikike vetëm se po shtohen dita-ditës, e jo të pakësohen. Përdorimi i drogës, konsumimi i alkoolit, problemet dhe krizat brendafamiljare, vetëvrasjet, dhuna, lufta dhe agresioni, plaçkitja dhe përdhunimet e të tjera dukuri negative, në masë të madhe dhe thellë-thellë po ndikojnë në shëndetin shpirtëror të shoqërisë. Të gjitha këto, duam apo nuk duam ta pranojmë, vijnë si pasojë e largimit në masë të madhe të njeriut bashkëkohor nga vlerat e besimit dhe nga mosrespektimi dhe mosaplikimi i mesazhit a porosisë hyjnore të përmbledhur në Kur’an, e cila i jep frymë dhe jetë shoqërisë dhe individëve të saj. Ndërkaq, synimi i fesë islame është që të krijojë e prodhojë breza e shoqëri të pastra e të dëlira dhe të brumosura me besim e shkencë.

Shikoni se çfarë thotë All-llahu xh. sh. për njerëzit dhe shoqëritë e tilla:“Ta keni të ditur se të dashurit e All-llahut (evlijatë) nuk kanë frikë (në botën tjetër) e as kurrfarë brengosjeje. (Ata) janë që besuan dhe ishin ruajtur. Atyre u jepet myzhde në jetën e dynjasë (në çastin e vdekjes) dhe në jetën tjetër (për shpëtim dhe Xhennet). Premtimet e All-llahut nuk mund të pësojnë ndryshim. E, ai është sukses i madh”, (Junus:62-64).

Nga: Hoxhë Rejhan Neziri