Rrahmani: Viti 2016 sfidues, por edhe me rezultate pozitive në shëndetësi

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se viti 2016 ishte një vit shumë dinamik dhe sfidues për shëndetësinë në Kosovë, e cila edhe gjatë këtij viti u ballafaqua me kufizime të shumta, duke filluar nga ato buxhetore e gjithashtu edhe me resurse humane dhe të infrastrukturës, por , gjithashtu edhe një vit në të cilën u shënuan edhe përparime evidente.

Ai tha kështu në konferencën e fund-vitit me media, në të cilën rezultatet e punës së Ministrisë i ka ndarë në disa kategori, përfshirë atë të: Hartimit të politikave dhe legjislacionit; Ngritjen e kapaciteteve institucionale në fushën e shërbimeve shëndetësore dhe investimet kapitale; Përgatitjet për funksionalizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore; Fuqizimin e rolit të Odave të profesionistëve shëndetësor dhe bartjen e kompetencave te komuniteti mjekësor; Mbështetjen e donatorëve dhe bashkëpunimin ndërkombëtar; Shëndetin publik dhe të arriturat e tjera.

Në fushën e hartimit të politikave dhe legjislacionit, Ministri Rrahmani theksoi miratimin e Strategjisë Sektoriale Shëndetësore 2017-2021, të disa ligjeve e udhëzimeve administrative dhe miratimin e statutit të Fondit të sigurimeve shëndetësore dhe Rregullores për Menaxhim Financiar e Fondit të Sigurimeve shëndetësore.

Ndonëse, Qeveria e vendit, ka shtyrë fillimin e mbledhjes së premiumeve shëndetësore për korrik të vitit 2017, Ministri Rrahmani tha se MSH-ja ka kryer përgatitjet e veta për këtë proces, por ka theksuar se ky proces ka kërkuar një konsensus më të gjerë të shumë palëve, të cilin Qeveria e ka marrë në konsideratë.

“Në procesin më tutje, presim përkrahjen e të gjithëve, edhe të atyre që së fundi, për arsye edhe të paqena u pozicionuan kundër fillimit të sigurimeve shëndetësore. Ne jemi të bindur se ky proces, me gjithë vështirësitë që mund të parashikohen për fillim, sepse do të ndodhin për herë të parë pas luftës, do të rezultojnë me përmirësim të financimit shëndetësor dhe të cilësisë së shërbimeve shëndetësore”, tha Ministri Rrahmani.

Ai theksoi rezultatet e arritura edhe në fushën e ngritjes së kapaciteteve institucionale në fushën e shërbimeve shëndetësore dhe investimet kapitale, ku veçoi Inaugurimin e Spitali i meremetuar i Vushtrrisë në vlerë prej 7 milion € si rezultat i bashkëpunimit me Emiratet e Bashkuara Arabe; përurimin e dy QKMF-ve, në Kaçanik e Drenas investime në 650.000 euro, përkatësisht 1.1 milionë euro; sigurimin e automjeteve për funksionalizimin Qendrës së Ujit të pijshëm në IKSHPK; pajisje për shëndetin e nënës dhe fëmijës për institucionet e nivelit dytësor dhe tretësore në vlerë prej 1,6 milionë €; projektin për ndërtimin e Klinikës Pediatrike donacion nga EBA në vlerë 22 milion €; vendosjen e gur-themelit të Klinikës së re Emergjente; investim i MSh-së në vlerë prej rreth 8 milionë eurove; investimet për Institutin Rajonal të Shëndetësisë Publike në Gjilan dhe në Ferizaj; etj.

Ai përmendi edhe konstituimin e Odave të profesionistëve shëndetësor dhe bartjen e një pjese të kompetencave tek ato, ndërkohë që e vlerësoi si shumë të suksesshëm bashkëpunimin me donatorët dhe bashkëpunimi ndërkombëtar, ku theksoi projektin KSV 017 me Qeverinë e Luksemburgut, i cili ka për qëllim të mbështes zhvillimin e reformës shëndetësore në Kosovë; (6 milionë euro); Marrëveshjen me Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), për Projektin Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm në KPSH; (7 milionë euro franga zvicerane); mbështetjen e “Globus Relief” nga SHBA për shëndetësinë kosovare; nisjen e projektit për Kujdesin e ri intensiv në QKUK mbështetur nga TIKA në vlerë prej 2 milionë eurove; akreditimin ndërkombëtar të Specializimit të Mjekësisë Familjare të Kosovës nga Kolegji Britanik, etj.

Ministri ka përmendur edhe të arriturat në fushën e shëndetit publik, punësimin e specialistëve të papunë, ndarjen e 199 specializimeve, mbi 106 operime në kardiokirurgji që buxhetit të vendit i kanë kursyer rreth 1.500.000 €, si dhe rezultate të tjera konkrete.

Në fund, duke falënderuar të gjithë kontribuuesit në shëndetësi, mantelbardhët, dhe mediat për rolin kritik, tha se procesi i reformave në shëndetësi nuk do të jetë aspak i lehtë, por, theksoi ai, “ne jemi të përkushtuar që gjatë vitit 2017 të punojmë edhe më shumë, me qëllim që përfundimisht të nisim me sigurimet shëndetësore si hap drejt reformimit të financimit të Shëndetësisë”.

“Ne jemi të bindur se ky proces, me gjithë vështirësitë që mund të parashikohen për fillim, sepse do të ndodhin për herë të parë pas luftës, do të rezultojnë me përmirësim të financimit shëndetësor dhe të cilësisë së shërbimeve shëndetësore”, tha Ministri Rrahmani.