Rrëfen kosovari i cili jeton me plumb gome afër zemrës nga viti 2007

Zenel Zeneli nga fshati Bardhosh i Prishtinës mban dy plumba të gomës në trupin e tij. Por, njëri që i shkakton probleme shëndetësore është aq afër zemrës sa që mjekët e kanë të pamundur largimin e tij. Ai ishte plagosur më 10 shkurt të vitit 2007 derisa po merrte pjesë në protestat e organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje.

Më 10 shkurt të vitit 2007, Lëvizja Vetëvendosje organizoi protestë kundër Planit të Ahtisaarit për statusin e Kosovës. Në këtë protestë policët rumunë, pjesëtarë të Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK), përdorën plumba gome duke vrarë dy persona dhe plagosur mbi 80 persona.

 

 

Deri më sot askush nuk është dënuar për viktimat e shkaktuara në këtë protestë.

Njëri nga të plagosurit edhe sot jeton me dy plumba gome në trup, është Zenel Zeneli nga fshati Bardhosh i Prishtinës i cili mban dy plumba të gomës në trupin e tij.

Atij i ishte dashur kohë e gjatë për shërim ku një pjesë të shpenzimeve ia kishte mbuluar misioni i UNMIK-u.

“I pari kam dalë në protestë, kështu vet me dëshirë dhe jam plagosur si ka filluar protesta. Jam i plagosur në vitin 2007 në protestën e Vetëvendosjes”, ka thënë Zeneli, për REL.

Sipas tij, një plumb që i shkakton probleme shëndetësore është aq afër zemrës saqë mjekët e kanë të pamundur largimin e tij.

“Një plumb e kam, do të thotë kur jam goditur në pjesën këtu, e kam në mbështjellës të zemrës edhe një e kam në këmbën e djathtë. Mjekët janë frikësuar se po e lëshon njëfarë yndyre, sepse është plumb i gomës me metal. Është rrezik për operacion, në qoftë se të keqësohet gjendja duhet të merret me urgjencë, t’i nënshtrohem operimit”.