Rregullohen të gjitha defektet e sistemit elektrik, shkaktuar nga stuhia e javës së kaluar

Java e kaluar në vendin tonë u karakterizua me mot të lig, i shoqëruar me reshje bore e erëra të forta.

Për shkak të pozitës gjeografike, Rrafshi i Dukagjinit ishte më i prekuri nga stuhitë, ndërsa pati edhe dëme të mëdha materiale.

E, ky mot bëri që një pjesë e madhe e Kosovës të mbesnin pa energji, veçanërisht komunat Pejë e Istog.

Por, Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it thotë për IndeksOnline se të gjitha prishjet nga stuhia e javës së kaluar tashmë janë rregulluar.

Kujtojmë se si pasojë e erërave të forta, procesi mësimor në dy shkolla të Istogut, as sot nuk ka filluar, kjo pasi që në këto dy objekte ka pasur dëme më të mëdha.

Ndërsa Komuna e Kamenicës sot ka rifilluar procesin mësimor.