Rrënohet objekti pa leje 11-katësh në Mitovicë

Ashtu siç edhe premtoi kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, në Mitrovicë ka nisur rrënimi objektit banesor 11-katësh, i ndërtuar pa leje.

Eskavatori i angazhuar nga Komuna e Mitrovicës, ka filluar rrënimin e objektit 11- katësh, të ndërtuar pa leje në rrugën “Shemsi Ahmeti” në Mitrovicë.

Para fillimit të rrënimit të objektit kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe pronari i objektit të ndërtuar pa leje, patën një bisedë.

Pronari i objektit e ka kundërshtuar vendimin, duke thënë se është i padrejtë vendimi për rrënim.

Mirëpo, ai nuk ia ka dalë të bind kryetarin Bahtiri, që të mos realizojë aksionin e rrënimit.

Bahtiri ka thënë se vetëm po e zbaton ligjin.

Pas kësaj ka filluar puna në rrënimin e objektit, ku janë të pranishme edhe forcat policore. /Telegrafi/