Rreth 5000 emigrantë janë në qendrat zyrtare të paraburgimit në Libi, sipas OKB-së

Antonio Vitorino

Rreth 5,000 emigrantë ndodhen në qendrat zyrtare të paraburgimit në Libi, por ata përfaqësojnë vetëm majën e ajsbergut, tha të mërkuren kreu i Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM).

“Situata mbetet tërësisht e papranueshme sa i përket shkeljes së të drejtave të emigrantëve në vend. Ne e kemi bërë gjithmonë të qartë se burgimi nuk është zgjidhje”, tha drejtori i përgjithshëm i IOM-it Antonio Vitorino gjatë një konference për shtyp të organizuar nga shoqata e korrespondentëve të OKB-së në Gjenevë (Acanu).

IOM, e cila është pjesë e rrjetit të OKB-së, po punon në Libi në partneritet me Komisionerin e Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR) për të ofruar ndihmë jetike për migrantët në qendrat formale të ndalimit.

“Por ne jemi të shqetësuar se ka qendra jozyrtare të paraburgimit për të cilat asnjë agjenci nuk ka njohuri ose qasje në të,” theksoi Vittorino.

Sipas kreut të IOM-it, “5000 persona mund të jenë aktualisht në qendrat zyrtare të paraburgimit ”.

Kaosi që pasoi rënien e regjimit të Muammar Gaddafit në vitin 2011 e bëri Libinë një rrugë të privilegjuar për dhjetëra mijëra emigrantë, nga Afrika Sub-Sahariane, vendet arabe dhe Azia Jugore, që kërkonin të arrinin në Evropë, veçanërisht përmes bregdetit italian.

Emigrantët që rrezikojnë jetën e tyre për të kaluar Mesdheun bien pre e kontrabandistëve dhe, kur kapen, kthehen në brigjet libiane, mbahen në qendra ndalimi dhe keqtrajtohen, raportojnë organizatat joqeveritare.

Vitorino i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të tregojë “qartësi” dhe “parashikueshmëri” kur bëhet fjalë për operacionet e kërkim-shpëtimit në Mesdhe, veçanërisht në lidhje me pikat e zbarkimit.

“Për më tepër, ne besojmë se është e nevojshme të sigurohen kanale ligjore të aksesit për të parandaluar migrantët të përdorin praktika negative, duke përfshirë përdorimin e trafikantëve të paligjshëm,” tha ai.

Vendndodhja gjeografike e Italisë e bën atë një destinacion të zgjedhur për azilkërkuesit që kalojnë nga Afrika e Veriut në Evropë.

Kreu i IOM theksoi se agjencia e tij pati një takim me qeverinë italiane javën e kaluar “pikërisht për t’u marrë me situatën në të gjithë Mesdheun”, por nuk dha detaje. /syri