Rreziku i varfërisë mbetet i lartë, dy në shtatë grekë rrezikojnë të mos përmbushin nevojat themelore

Pothuajse dy në shtatë grekë rrezikojnë të mos përmbushin nevojat themelore, shkalla e tretë më e lartë në BE

Greqia ka shkallën e tretë më të lartë në Bashkimin Europian të njerëzve në rrezik varfërie ose në rrezik përjashtimi social, sipas raportit të fundit mbi këtë indeks nga Eurostat, të publikuar gjatë kësaj jave.

Të dhënat tregojnë se afërsisht dy në shtatë grekë (27.5% e popullsisë) përballen me pamundësinë për të përmbushur disa ose shumicën e nevojave të tyre themelore.

Ky nivel është më i ulët vetëm se ai i Rumanisë, 35.8%, dhe i Bullgarisë, 33.6%. Shkalla mesatare në 27 shtetet anëtare të BE-së arrinte në 21.9% në vitin 2020, që korrespondon me afërsisht 96.5 milion njerëz.

Pjesa e grave që përballen me rreziqet e varfërisë ose të përjashtimit social në Greqi vitin e kaluar, ishte 28.8%, më e lartë se norma e përgjithshme, duke u renditur në vend të tretë në bllok, pas Rumanisë 37.5% dhe Bullgarisë 35.9%. Kjo ishte gjithashtu mbi normën mesatare të BE-së prej 22.9%. Më shumë se një në katër burra (26.1%) ndodhej gjithashtu në atë pozicion, kundrejt 34% në Rumani, 31.2% në Bullgari dhe 20.9% në të gjithë BE-në, tha Eurostat.

Pjesa e fëmijëve të rrezikuar nga përjashtimi shoqëror ose varfëria në Greqi, vitin e kaluar ishte afërsisht një në tre (31.5%), niveli i katërt më i lartë në BE: Greqia renditej pas Rumanisë (plot 41.5%), Bullgarisë (36.2%) dhe Spanjës (31.8%). Në të gjithë BE-në, 24.2% e fëmijëve deri në moshën 18 vjeç, ndodheshin në këtë situatë në vitin 2020.

Qytetarët e moshuar në Greqi duket se janë në gjendje shumë më të mirë, veçanërisht pensionistët. Kjo për shkak se pjesa e njerëzve të moshës mbi 65 vjeç në rrezik nga varfëria ose përjashtimi social, ishte nën një në pesë, duke arritur në 19.3% në vitin 2020, shumë më mirë se norma mesatare e BE-së prej 20.4% dhe dukje u renditur në vend të 11-të në bllok. Bullgaria kishte përqindjen më të lartë, me plot 49.5%.

Familjet me fëmijë janë ato që rrezikohen më tepër nga varfëria ose përjashtimi social, tregoi Eurostat. Norma përkatëse në Greqi arrin në 29.7%, e treta më e larta në BE, ndërsa për familjet pa fëmijë kjo shkallë ishte 25.7% në vitin 2020, niveli i pesti më i lartë në BE. /monitor