Rriten rastet me tuberkuloz në botë, për herë të parë në 20 vjet

Lucica Ditiu

Numri i njerëzve me tuberkuloz është rritur globalisht për herë të parë në pothuajse 20 vjet, duke nxitur akuza se sëmundja është neglizhuar sepse prek të varfrit.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), 10.6 milionë njerëz u diagnostikuan me tuberkuloz në vitin 2021, një rritje prej 4.5% krahasuar me një vit më parë. Numri i rasteve të reja kishte rënë me një mesatare prej 2% në shumicën e viteve që nga viti 2000, raportoi të shtunën The Guardian.

Vdekjet e lidhura me tuberkulozin u rritën për të dytin vit radhazi në 1.6 milionë në vitin 2021, ka thënë OBSH. Shumë njerëz nuk ishin në gjendje të merrnin një diagnozë ose të merrnin trajtim gjatë bllokimeve për të parandaluar COVID-19.

“Pavarësisht këtij trendi tronditës në rritje të vdekshmërisë dhe shkallës së infeksionit nga tuberkulozi, fondet për luftimin e tuberkulozit u ulën më 2020 dhe 2021 nga një nivel të ulët. Kjo është indinjuese dhe më bën të pyes veten pse ka kaq mungesë të investimeve për tuberkulozin. A është për shkak se qeveritë nuk kujdesen për njerëzit e tyre? A është për shkak se jeta e një personi që vdes nga tuberkulozi është më pak e rëndësishme apo është sepse tuberkulozi prek kryesisht njerëzit e varfër nga vendet më të varfra dhe është më komode t’i neglizhosh ata?” ka thënë Lucica Ditiu, drejtoresha ekzekutive e “Partneriteti Stop Tuberkulozit”.

Tuberkulozi, i cili më së shumti sulmon mushkëritë, përhapet përmes spërklave ajrore. Mund të mbetet i fshehtë për shumë vite përpara se të shkaktojë probleme shëndetësore dhe mund të jetë i vështirë për t’u diagnostikuar.

Aftësia për të kontrolluar transmetimin është e kufizuar sepse vaksina aktuale, e njohur si BCG, është më shumë se 100 vjet e vjetër dhe ka efikasitet të kufizuar tek të rriturit, sipas Jamie Triccas, një studiuese e tuberkulozit në Universitetin e Sydneyt.

Sipas OBSH-së, ka pasur rënie të shpenzimeve në botë për shërbimet esenciale për tuberkulozin nga 6 miliardë më 2019 në 5.4 miliardë më 2021.