Rritet ndjeshëm numri i rasteve ditore me COVID-19 në Shqipëri

Pas gati më shumë se dy muajsh, në Shqipëri është regjistruar një numër i lartë infektimesh nga COVID-19.

Në 24 orët e fundit nga kryerja e 3,526 testimeve janë zbuluar 43 raste të reja, duke shënuar numrin më të lartë ditor që prej datës 14 maj (49 raste).

Aktualisht janë 198 raste aktive me COVID-19 në të gjithë vendin ndërsa në Spitalin Infektiv po marrin trajtim spitalor të specializuar 6 pacientë.

Ndërkohë që prej 26 qershorit në Shqipëri nuk ka asnjë humbje jete nga coronavirus, kurse që prej fillimit të pandemisë janë regjistruar 2 456 të vdekur.

Rritja e rasteve të reja ditore vjen në një kohë kur ka dyshime për praninë e variantit “Delta”, ndërsa zyrtarisht një fakt i tillë ende nuk është konfirmuar.

Ministria e Shëndetësisë u ka bërë apel qytetarëve të vaksinohen për t’u mbrojtur nga COVID-19 dhe të shfrytëzojnë ditët e hapura të vaksinimit deri të dielën për personat mbi 18 vjeç.