Rrufeja mbyt mbi 300 drerë të veriut në Norvegji

Agjencia Norvegjeze për Mbrojtjen e Mjedisit ka publikuar foto të tmerrshme në të cilat shihet grumbulli i drerëve të mbytur të veriut të shpërndarë në fushën e vogël malore të Hardangervidda. Nga agjencia bëjnë të ditur se rrufeja të premten mbyti 323 renë, raporton AA.

Zëdhënësi i agjencisë Kjartan Knutsen tha se nuk është diçka e pazakontë që drerët apo kafshë tjera të egra të mbyten si pasojë e rrufesë, por se “nuk kanë dëgjuar për një numër të tillë më parë”.

Ai tha se gjatë motit të keq renët zakonisht qëndrojnë së bashku që mund të shpjegojë tragjedinë e këtyre përmasave.

Gjatë ndërrimit të stinëve disa mijëra renë migrojnë nëpër platonë shterpe të Hardangerviddas.