Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Rubio u thotë ministrave arabë se lufta me Iranin mund të zgjasë...

Rubio u thotë ministrave arabë se lufta me Iranin mund të zgjasë “edhe disa javë”

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u ka thënë ministrave të jashtëm arabë se lufta SHBA-Izrael kundër Iranit mund të zgjasë “edhe disa javë të tjera” dhe se Washingtoni nuk synon “ndryshimin e regjimit”, transmeton Anadolu.

Burime të njohura drejtpërdrejtë me bisedat i thanë faqes së lajmeve Axios se Rubio i bëri këto komente gjatë telefonatave të së enjtes me ministrat e jashtëm arabë.

Sipas raportit, Rubio tha se fokusi ushtarak është te lëshuesit e raketave të Iranit, rezervat dhe fabrikat e tyre.

Burimet thanë se ai gjithashtu u tha ministrave se qëllimi i SHBA-së nuk është “ndryshimi i regjimit”, ndërsa njëkohësisht sinjalizoi se “Washingtoni dëshiron njerëz të tjerë që të drejtojnë vendin”.

Rubio shtoi se aktualisht nuk ka dialog mes SHBA-së dhe qeverisë iraniane dhe argumentoi se çdo bisedim në këtë fazë do të dëmtonte objektivat ushtarake.

Telefonatat erdhën mes rritjes së tensioneve në Lindjen e Mesme që nga 28 shkurti, kur forcat amerikane dhe izraelite nisën sulme ajrore ndaj Iranit që kanë vrarë më shumë se 1 mijë persona, përfshirë liderin suprem Ali Khamenei, mbi 150 nxënëse dhe zyrtarë të lartë ushtarakë.

Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që synojnë objekte të lidhura me SHBA-në në të gjithë rajonin. Një sulm me dron në Kuvajt vrau gjashtë ushtarë amerikanë në një qendër taktike operacionale.

Sipas një përmbledhjeje nga Departamenti i Shtetit, Rubio bisedoi të enjten me ministrin e Jashtëm të Egjiptit, Badr Abdelatty dhe ministrin e Jashtëm të Kuvajtit, Sheikh Jarrah Jaber Al-Ahmad Al-Sabah, për zhvillimet rajonale dhe kërcënimet e paraqitura nga Irani.

Rubio falënderoi Egjiptin për ndihmën në evakuimin e amerikanëve përmes territorit të tij dhe shprehu ngushëllime ndaj Kuvajtit për sulmet që vranë dhe plagosën pjesëtarë të forcave të tij të armatosura.

Dje, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u tha gazetarëve se presidenti Donald Trump pret që operacioni ‘Epic Fury’ të zgjasë “rreth katër deri në gjashtë javë” dhe se ai dëshiron të jetë i përfshirë në diskutimet për udhëheqjen e ardhshme të Iranit.