Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Rusia bën thirrje për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme

Rusia bën thirrje për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, zhvilloi të premten një bisedë telefonike me homologun e tij saudit, Faisal bin Farhan Al Saud, duke bërë thirrje për uljen e tensioneve ushtarake dhe politike në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu.

Lavrov diskutoi në detaje perspektivat për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve shumëplanëshe ruso-saudite, sipas Ministrisë së Jashtme të Rusisë.

Gjatë bisedës telefonike u theksua rëndësia e ruajtjes së dinamikës së lartë të dialogut politik midis Moskës dhe Riadit, si dhe intensifikimi i punës së përbashkët për të zhvilluar bashkëpunimin tregtar, ekonomik, të investimeve dhe kulturor.

Kryediplomatët prekën temën e festimit të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Rusisë dhe Arabisë Saudite më 19 shkurt.

Në këtë kuadër u diskutuan gjithashtu çështjet aktuale në agjendën ndërkombëtare dhe rajonale, me fokus në zgjidhjen palestinezo-izraelite, situatën rreth Iranit dhe situatën në Jemen.