Dikur cilësohej një strateg, sot shihet si një autokrat i izoluar dhe i shkëputur nga realiteti…
Deri në fillim të vitit 2022, elita politike dhe ekonomike e Rusisë e shihte Vladimir Putinin si një strateg gjakftohtë, një udhëheqës racional që garantonte stabilitetin dhe pasurinë e tyre. Ai njihej me respekt me nofkën “Shefi”.
Mirëpo, sot, imazhi i tij brenda mureve të Kremlinit ka pësuar një rënie drastike, duke u shndërruar nga një figurë autoritare në një objekt talljeje në biseda private. Sipas ekonomistes ruse Alexandra Prokopenko, në një intervistë të fundit për mediat gjermane, shtresa e lartë dhe manjatët e biznesit e perceptojnë tashmë atë si një autokrat të plakur dhe të shkëputur plotësisht nga realiteti.
Në bisedat e tyre sekrete, respekti i dikurshëm është zëvendësuar nga cinizmi. Nofka e re që po qarkullon me shpejtësi në korridoret e pushtetit është “Ded” (Gjyshi). Prokopenko shpjegon se para shkurtit 2022, fiksimi i Putinit pas historisë dhe teorive të vjetra gjeopolitike shihej si një tipar i padëmshme i moshës së thyer.
Megjithatë, urdhri për pushtimin e Ukrainës ishte pika e thyerjes. Elita ruse nuk besonte se ai do të ndërmerrte një luftë në shkallë të plotë, duke supozuar se do të frenohej nga rreziqet e mëdha ekonomike.
Kur ky supozim doli i gabuar, respekti për “strategun” ia la vendin zhgënjimit të thellë për një njeri që nuk llogarit më pasojat e veprimeve të tij. Një nga dëshmitë më goditëse nga bisedat e Prokopenkos me anëtarë të elitës menaxheriale, është përshkrimi i Putinit si një njeri që “i do ushtarët lodra”.
Kjo frazë përmbledh perceptimin e një udhëheqësi (tashmë 73 vjeç) që e trajton luftën si një lojë abstrakte në tabelë, pa e ndjerë peshën e gjakderdhjes apo izolimin ndërkombëtar të vendit të tij. Sistemi aktual në Rusi, duket se e ka përkeqësuar këtë gjendje.
Informacioni që mbërrin në tryezën e presidentit është rreptësisht i filtruar, i “sheqerosur” dhe i shtrembëruar për t’iu përshtatur dëshirave të tij. Në një strukturë ku shpërblehen vetëm ata që japin lajme të këndshme, Putin ka mbetur peng i një realiteti paralel, duke e bërë gjithnjë e më të pariparueshëm hendekun mes tij dhe elitës civile ruse. /tesheshi




