Dhuna e kolonëve ndaj palestinezëve po e çon vendin drejt izolimit ndërkombëtar
Ndërsa vëmendja e publikut izraelit është përqendruar te formimi i qeverisë së re dhe mundësia e një përshkallëzimi tjetër me Iranin, diplomatët e Izraelit në Evropë dhe në vende të tjera po paralajmërojnë për një krizë të thellë diplomatike.
Shkaku nuk është vetëm lufta në Gaza apo përplasja me Teheranin, por dhuna në rritje e ekstremistëve hebrenj kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor.
Sipas diplomatëve të intervistuar nga media izraelite Ynet, kjo çështje është shndërruar në një nga pengesat kryesore për përpjekjet diplomatike të Izraelit dhe po shton rrezikun e sanksioneve të reja ndërkombëtare.
Me uljen e intensitetit të luftimeve në Gaza dhe Iran, në hapësirën mediatike ndërkombëtare është krijuar një boshllëk që tashmë po mbushet nga pamjet e sulmeve të kolonëve: ullinj të shkulur, shtëpi dhe xhami të djegura, automjete të shkatërruara dhe sulme ndaj banorëve palestinezë.
“Rreth 80 për qind e kohës lajmet lidhen me Gazën dhe pamjet e tmerrshme që vijnë prej andej. Kur situata qetësohet, del në plan të parë dhuna e kolonëve”, tha një diplomat i lartë izraelit në Evropën Perëndimore.
Ai pranoi se përfaqësuesit izraelitë po përballen gjithnjë e më shpesh me një pyetje të thjeshtë, por tepër të vështirë për t’iu përgjigjur: A është Izraeli një shtet ku sundon ligji?
Diplomatët thonë se kanë përfunduar në një pozicion paradoksal. Në vend që të shpjegojnë kërcënimet e sigurisë me të cilat përballet Izraeli, ata detyrohen të mbrojnë vendin e tyre përballë akuzave për dhunë, zjarrvënie dhe shkatërrime të kryera nga vetë qytetarët izraelitë.
Një ambasador me përvojë në Evropë e cilësoi këtë situatë si të pamundur për t’u justifikuar. Sipas tij, terrorizmi hebre në Bregun Perëndimor është një nga çështjet më dëmtuese për marrëdhëniet e Izraelit me vendet e tjera dhe çdo përpjekje për ta relativizuar atë vetëm sa dëmton më tej besueshmërinë e përfaqësuesve izraelitë.
Sipas tyre, problemi më i madh nuk është vetëm dhuna, por mungesa e reagimit të autoriteteve dhe perceptimi se disa pjesëtarë të qeverisë madje e inkurajojnë atë.
Ata kërkojnë arrestime, aktakuza, ndëshkime dhe dënime të qarta publike nga zyrtarët. Në vend të kësaj, thonë se shohin një reagim të pamjaftueshëm institucional, ndërsa elementët ekstremistë vazhdojnë të veprojnë.
Megjithëse ministri i Jashtëm Gideon Sa’ar dhe kryeministri Benjamin Netanyahu kanë dënuar publikisht dhunën, këto deklarata po humbasin peshën përballë përsëritjes së sulmeve.
Në sytë e shumë qeverive evropiane, fakti që elementë ekstremistë janë pjesë e koalicionit qeverisës, krijon përshtypjen se dhuna tolerohet për arsye politike. Një tjetër shqetësim lidhet me pamjet që qarkullojnë jashtë Izraelit.
Diplomatët thonë se publiku ndërkombëtar sheh shtëpi të djegura, palestinezë të dhunuar dhe gazetarë apo aktivistë të sulmuar, ndërsa në disa raste edhe forcat izraelite të sigurisë shfaqen duke qëndruar pasive ose duke bashkëpunuar me autorët.
Sipas Ynet, diplomatët paralajmërojnë se këto pamje po minojnë jo vetëm reputacionin e Izraelit, por edhe mundësinë që qeveritë mike ta mbrojnë atë në arenën ndërkombëtare.
Izraeli, si fuqi pushtuese, ka gjithashtu detyrimin sipas së drejtës ndërkombëtare të mbrojë popullsinë palestineze në territoret e pushtuara. Pasojat kanë filluar të shfaqen edhe përtej deklaratave diplomatike.
Vendet e Bashkimit Evropian, Britania, Kanadaja dhe Australia kanë ndërmarrë masa kundër individëve të përfshirë në dhunën e kolonëve. Diplomatët izraelitë, druhen se këto sanksione mund të zgjerohen dhe të bëhen më të ashpra.
Paralelisht, po shfaqet një largim gradual nga marrëdhëniet me Izraelin në sektorë të ndryshëm, përfshirë biznesin, botën akademike, kulturën dhe industrinë e mbrojtjes.
Një pjesë e këtij distancimi bëhet publikisht, ndërsa një pjesë tjetër zhvillohet në heshtje, pa njoftime zyrtare. Shqetësimi po përhapet edhe në Shtetet e Bashkuara.
Hakeem Jeffries, kreu i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe një prej mbështetësve tradicionalë të Izraelit, ka deklaruar se miratimi i një projektligji kundër dhunës së kolonëve në Bregun Perëndimor do të jetë ndër përparësitë e tij gjatë 100 ditëve të para nëse merr drejtimin e kësaj dhome.
Projektligji parashikon krijimin e një mekanizmi federal për monitorimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës për dhunën, përfshirë ata që e planifikojnë, financojnë apo mbështesin atë.
Masat mund të përfshijnë ngrirjen e pasurive, kufizimin e transaksioneve dhe ndalimin e hyrjes në SHBA. Sipas diplomatëve, mundësia e përfshirjes së figurave politike izraelite në këto masa nuk mund të përjashtohet.
Një ambasador e përshkroi dhunën e kolonëve si çështjen më të rëndësishme në diskutimet ndërkombëtare për Izraelin dhe e cilësoi situatën si një “bombë me sahat”. \tesheshi.com\





