Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të premten se Rusia mirëpret dëshirën e Turqisë për të kontribuar në zgjidhjen e konfliktit ukrainas, transmeton Anadolu.
Gjatë një konference për shtyp në Ashgabat, kryeqytetin e Turkmenistanit, Peskov tha se Moska mirëpret komentet e Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, mbi konfliktin.
“Presidenti turk foli për gatishmërinë dhe vullnetin e Turqisë për të vazhduar aktivitetet e saj ndërmjetëse dhe për të kontribuar në procesin e paqes, gjë që është mirëpritur nga vendi ynë”, tha Peskov.
I pyetur nëse çështja ukrainase u diskutua nga udhëheqësit e Azisë Qendrore në Forumin Ndërkombëtar për Paqe dhe Besim në Ashgabat, Peskov tha se ata “praktikisht nuk e prekën atë”.
Në përgjigje të një pyetjeje tjetër nëse Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të takohet me përfaqësues nga Ukraina dhe BE-ja, zëdhënësi i Kremlinit tha se Moska nuk ka informacion mbi këtë çështje.
Trump më parë ka thënë se përfaqësuesit e SHBA-së do të marrin pjesë në takimin e së shtunës me përfaqësues nga Evropa dhe Ukraina vetëm “nëse ka një shans të mirë për një marrëveshje”.








