Rusia: Në të ardhmen me Evropën do të ndërtojmë marrëdhënie mbi baza të reja

Dmitry Peskov

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se me venet e Evropës në të ardhmen do të ndërtojnë marrëdhënie mbi baza të reja, transmeton Anadolu.

Duke folur me gazetarët në Moskë lidhur me çështjet aktuale, Peskov vlerësoi vendimin e Parlamentit Evropian (PE) për mos njohjen e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale që u mbajtën në muajin mars në Rusi.

“Ky nuk është një vendim që ne do ta marrim në konsideratë. Parlamenti Evropian tashmë një kohë të gjatë paraqet një pozicion solid dhe të qëndrueshëm që përqafon qëndrim anti-rus”, tha Peskov.

Duke folur për marrëdhëniet mes Rusisë dhe Evropës, Peskov theksoi se nuk përbëjnë kërcënim për Evropën, duke shprehur “shpresë që edhe Evropa nuk përbën kërcënim për Federatën Ruse”.

“Operacioni special ushtarak (në Ukrainë) herët apo vonë do të rezultojë me sukses. Në çdo rrethanë, ne do të duhet të biem dakord me evropianët se në çfarë mënyre do të jetojmë. Është e qartë se këto pajtime do të jenë në mënyrën e marrëdhënieve të reja. Nuk do të jetë më e mundur të ndërtohen marrëdhënie si më parë dhe askush nuk do ta kërkojë këtë, veçanërisht nga Rusia. Kemi përvojë të madhe lidhur me sjelljet e evropianëve ndaj nesh. Gjithmonë do ta marrim në konsideratë këtë përvojë kur të ndërtojmë marrëdhënie. Por sërish ne nuk do të largohemi nga njëri tjetri gjeografikisht. Për këtë arsye, në çdo rast do të duhet të ndërtojmë marrëdhënie në baza të reja”, tha Peskov.

Ai gjithashtu njoftoi se presidenti rus, Vladimir Putin, do të zhvillojë një vizitë në Kinë në muajin maj dhe se është arritur në fazën e fundit në procesin përgatitor të kësaj vizite.