Ministria ruse e Mbrojtjes thotë se aeroporti ushtarak në Vinnitsya në Ukrainë, ka mbetur jashtë përdorimit për shkak të goditjeve me armë precize me rreze të gjatë veprimi.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë, Igor Konashenkov tha se ushtria ruse do të godasë objektet e mbrojtjes në Ukrainë me armë të saktësisë së lartë.
Konashenkov tha se Ukraina po përpiqet të riparojë pajisjet ushtarake të dëmtuara nga sulmet ruse për t’i vendosur ato në zonat e konfliktit më vonë dhe i kërkoi stafit të largohet nga objektet që do të goditen për të mbrojtur jetën e tyre.
Zëdhënësi shtoi se aeroporti ushtarak ukrainas në qytetin Vinnitsya ishte lënë jashtë përdorimit me armë precize me rreze të gjatë veprimi, duke shtuar se avionët rusë gjithashtu rrëzuan tre avionë luftarakë Su-27 që i përkisnin forcave ajrore ukrainase.
“Pothuajse të gjithë elementët ajror ndërluftues të Ukrainës janë shkatërruar”, tha ai, ndërsa shtoi se “Dokumentet konfirmojnë zhvillimin e komponentëve të armëve biologjike në laboratorët biologjikë ukrainas të vendosur në afërsi të territorit rus.”
Ministria e Mbrojtjes tha gjithashtu dje se pala ukrainase kishte refuzuar bashkëpunimin për evakuimin e civilëve nga qytetet Harkov dhe Sumi.
Ministria tha se 163.000 njerëz, përfshirë rreth 43.000 fëmijë, ishin evakuuar nga Ukraina në Rusi.
Qeveria e Kievit është përgjegjëse për ndërprerjen e evakuimit të civilëve nga qyteto Mariupol të Ukrainës, argumentohet në deklaratë duke shtuar se “Rusia ka përmbushur të gjitha kushtet për krijimin e një korridori humanitar”.
Në deklaratë thuhet se njësitë ushtarake ukrainase hapën zjarr ndaj pozicioneve të trupave ruse kur u përcaktua korridori i ndihmës humanitare.
“Pala ukrainase kundërshton me forcë bashkëpunimin për evakuimin e një numri të madh njerëzish në Harkov dhe Sumi, ku ndodhen mijëra civilë, përfshirë të huaj”, thuhet në deklaratë.
Nga ana tjetër, Rusia shpalli një armëpushim për evakuimin e civilëve nga qytetet ukrainase të Kievit, Mariupol, Harkov dhe Sumi që nga ora 10:00 me orën e Moskës.
Korridoret humanitare që do të hapen do të monitorohen me dronë, thuhet në deklaratë, duke informuar Kombet e Bashkuara (OKB), Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe njësitë përkatëse të Kryqit të Kuq.
“Ne kërkojmë që Ukraina të përmbushë të gjitha kushtet për krijimin e korridoreve humanitare në drejtimet e specifikuara dhe të sigurojë daljen e organizuar të civilëve dhe qytetarëve të huaj”, thuhet në deklaratë.
Trupat ruse filluan një ofensivë në Ukrainë më 24 shkurt. /trt






