Kryeministri i Çekisë goditet me vezë gjatë një takimi elektoral

Andrej Babis

Kryeministri i Republikës Çeke, Andrej Babis ka qenë shënjeshtra e një sulmi me vezë ditën e dielë në Prouhonise, një qytet afër Pragës. Ngjarja ka ndodhur gjatë një takimi elekroral të politikanit populist, teksa po firmoste libra në një bar në qendër të qytezës.

Babis në reagim të ngjarjes ka thënë për CNN “Prima News” se personat që e goditën me vezë, gjithashtu dhunuan me shishe birre një vajzë të re mbështetëse të tij: “Nuk ka problem, mua më goditën me vezë në kokë, por një vajzë e re u godit me shishen e birrës në kokë”- ka thënë ai.

Babis i cili ka filluar që tani fushatën elektorale për zgjedhjet që do të zhvillohen në datat 8 dhe 9 tetor, akuzohet nga opozita për keqmenaxhim të pandemisë së koronavirusit, teksa 30.300 njerëz kanë vdekur nga COVID dhe aktualisht një valë e re ka filluar për shkak të variantit “delta” të koronavirusit.