Sa pak mendojmë për atë e cila aq shumë mendon për ne

Iljasa Salihu

Në mitrën e nënës u ngjizëm dhe u zhvilluam. Për nëntë muaj u ushqyem me ushqimin e nënës. Eshtrat i forcuam duke marr ushqim nga eshtrat e nënës dhe për rrjedhojë asaj ia dobësuam eshtrat. Çdo gjymtyrë të trupit tonë e forcuam duke marr nga gjymtyrët e nënës, njëkohësisht duke ia dobësuar asaj gjymtyrët. Edhe dhëmbët ia dobësuam në epërsi të forcimit të themelit të thëmbëve tona. Pastaj, grimëçasti i lindjes që është sinonim i vdekjes saj. Sërish ushqim nga ushqimi dhe trupi i saj. Sërish harmonizim i ritmit të zemrës sonë me ritmin e zemrës saj. Netë të tëra pagjumë në kuadër të ëmbëlsisë së gjumit tonë. Pastrim, përgatitje ushqimore dhe kujdes në edukim. Dert në shkollë, dert në martesë e dert në punë. Kjo është nëna, madje më tepër seç mund ta përshkruajmë ne, kurse fëmijët e saj, druajnë të paktën t’i ndajnë për çdo muaj nga 5 përqind të të ardhurave të tyre financiare për nënën dhe herë pas herësh ndonjë dhuratë që do ta gëzonte atë.

Sillen me shkujdesje ndaj saj. Lehtësisht e flijojnë qetësinë e saj për hir të interesave të tyre. Një lëshim të vockël ia peshojnë aq rëndë sa të krijohet përshtypja se ajo qe fajtore për nisjen e Luftës së Parë Botërore. Shpesh edhe e lënë vetëm, ngaqë ajo po përzihet dhe si e tillë është bërë e padurueshme. Në të vërtetë, ajo kurrë nuk mund të bëhet e padurueshme, por fëmijët e saj janë bërë aq mosmirënjohës ndaj Zotit, pastaj ndaj nënës. Fëmijët e saj janë bërë aq koprrac, saqë kënaqësia e tyre mbisundon dhe shtyp çdo kënaqësi të nënës. Fëmijët e saj janë bërë aq të cekët në durim, saqë një lëshim i vockël i nënës u duket hata dhe Kijamet. Në fund fare, kur vdes ajo, qajnë fëmijët e saj, paguajnë drekë dhe darkë për të, porse në të tilla atmosfera dhe në kuadër të këtij realiteti të keq, nuk dihet nëse bëhet fjalë për lot pikëllimi apo gëzimi, drekë festive apo darkë për nderimin e saj të fundit!

Iljasa Salihu