Sa shumë të zënë që jemi…!

Ramazan Kayan

Një ditë, një pacient i shqetësuar dhe i ankuar nga ankthi shkon te mjeku. Ai i thotë se ka shumë punë për të bërë, por se është i sëmurë dhe punët e tij nuk mund të presin.

Mjeku e pyet:

“A nuk mund t’i bëjë këto punë dikush tjetër? Apo nuk ka dikush që mund t’ju ndihmojë?

– Vetëm unë mund t’i bëj ato. Të gjitha punët varen nga unë.

Mjeku i thotë:

– në rregull atëherë. Do të të jap një recetë. Nëse e zbaton ashtu siç është, do të çlirohesh nga ky shqetësim. – Dhe ia shkruan recetën.

Kur pacienti e merr recetën dhe e lexon, mbetet i habitur.

Në recetë shkruhej:

“Çdo ditë do të lësh punët për të paktën dy orë dhe do të bësh një shëtitje. Po ashtu, gjysmën e një dite në javë do ta kalosh në një varrezë.”

Pacienti i habitur e pyet mjekun.

– E kuptova shëtitjen, por pse në varreza?

– Dua që të shkosh atje dhe të shikosh varret. Aty janë të varrosur njerëz që mendonin se janë të pazëvendësueshëm. Kur të shohësh se punët që mendove se mund t’i bëje vetëm ti, po vazhdojnë të bëhen normalisht edhe pas vdekjes të tyre, do ta kuptosh realitetin.”

Në jetën moderne të qytetit, të gjithë janë të zënë në një mënyrë apo tjetër… Aq sa edhe të papunët thonë: “Jam i zënë, nuk kam kohë për askënd.”

Një rrjedhë që shkon pa u ndalur… Jetë e mbyllur në vetvete, jetë shoqërore e paralizuar… Një tempo pune intensive në një botë personale, që të bën “jashtëzakonisht të zënë”…

Kemi arritur në një pikë ku nuk merremi më me asgjë tjetër përveç punëve të përditshme…

Në sistemin konkurrues të rendit kapitalist, ka një garë të egër…

Njeriu sot është përfshirë në një “zënie” serioze, një vetmi të thellë dhe një gabim jetik…

Askush nuk po pyet nëse gjithë kjo “zënie” është legjitime apo jo…

Jemi aq të kapluar nga ky angazhim i pandërprerë sa nuk e kuptojmë më që ai po na pushton mendjen, shpirtin, zemrën dhe jetën shoqërore…

Na kujtohet paralajmërimi jetësor i Imam Shafiut:

“Nëse nuk e mbush veten me të vërtetën, do të të pushtojë e kota.”

Po, shumë herë kemi rënë viktimë e pushtimit nga punë të kota, boshe e të pakuptimta… Dhe jemi shpërndarë… Jemi shkëputur nga përgjegjësitë tona…

Me fjalët e mençura të Ataullah Iskenderit, mund ta shqyrtojmë veten:

“Nëse do të dish sa vlerë ke te Allahu, shiko me çfarë të ka angazhuar Ai.”

Tani, le ta pyesim veten me qetësi:

Për kë është lufta jonë, dashuria, brenga, ëndrra, nxitimi, frika, entuziazmi ynë? Për çfarë?

Në zgjedhjet tona, mund të gjejmë justifikime që na duken të sakta… Por ka një Zot që na njeh më mirë se sa ne e njohim veten…

A përputhen përpjekjet tona me kënaqësinë e Tij?

A nuk na sheh Ai që na ka dhënë shikimin?

A nuk na dëgjon Ai që na ka dhënë dëgjimin?

Të lutem, më thuaj:

Gjithë kjo zënie, ky angazhim i pamasë, për kë dhe për çfarë po investohet?

Për çfarë po lodhemi kaq shumë?

Mos vallë ky temp i lartë ushqehet nga egoja dhe dëshirat tona?

Le të tregojmë vendosmëri që vlera jonë të mos bjerë në gropën e rehatisë, karrierës, kolltukut dhe kapitalit…

A po shpenzohet dëm energjia, aftësia, inteligjenca, talenti dhe potenciali që na ka dhënë Allahu?

Njeriu përgatit vetë dështimin e vet…

Përgjegjësitë tona shoqërore… Detyrimet tona si robër të Zotit… Vëllazëria jonë në fe… A mos po i lëmë për ndonjë pranverë tjetër?

Pse nuk gjejmë kohë për njerëz dhe mjedise me shqetësim dhe kauzë islame?

Pse nuk i japim rëndësi leximeve që na ushqejnë, na mprehin mendjen dhe na vetëdijesojnë?

I kemi hequr nga axhenda jonë kuvendet e bukura të bisedave shpirtërore…

Sepse jemi të zënë, apo jo?

Edhe adhurimet janë lëkundur… Shtesat dhe sunetet gjasme ia kemi lënë “sufive”… Edhe me farzet po hasim vështirësi, sepse jemi shumë të zënë…

Vizitat e të sëmurëve, funeralet, ngushëllimet, dasmat, vizitat familjare, aktivitetet sociale, ndihmat humanitare, thirrja dhe udhëzimi…

I kemi lënë në dorë të pensionistëve, të papunëve, apo të adoleshentëve që nuk kanë gjë për të bërë…

Mos harrojmë, ky paralajmërim profetik është për ne:

Profeti Muhamed ﷺ ka thënë:

“Nëse Allahu dëshiron të mirën për një rob, e vë atë në shërbim.”

Sahabët pyetën: “O i Dërguar i Allahut, si e vë në shërbim?”

Ai u përgjigj:

“E bën atë që të bëjë vepra të mira para se të vdesë.”

(Tirmidhiu)

Nga hoxhë Ramazan Kayan
Hoxhë Ferid Piku