Schallenberg: Vjena nuk ka plane për t’u anëtarësuar në NATO

Alexander Schallenberg

Në kuadër të kërkesave të shpallura së fundmi nga Suedia dhe Finlanda për t’u bashkuar me NATO-n, ministri i Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg tha se Austria nuk kishte plan për t’u bashkuar me aleancën ushtarake.

“Ne kemi një situatë gjeografike krejtësisht të ndryshme”, u tha Schallenberg gazetarëve pas një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel.

“Ne gjithashtu kemi një histori shumë të ndryshme dhe besoj se kjo duhet të merret parasysh. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Austria është politikisht neutral”, shtoi Schallenberg.

“Nuk ka asnjë neutralitet në një luftë agresioni”, tha ai, duke iu referuar pushtimit rus të Ukrainës.

“Ne kemi marrë një qëndrim shumë të qartë, ne mbështesim të gjitha sanksionet dhe po bëjmë atë që mundemi nga ana jonë për sa i përket mbështetjes”, shtoi ai.

I pyetur nëse siguria e Austrisë mund të garantohet pavarësisht se mbetet jashtë NATO-s, Schallenberg tha se Austria synon të rrisë investimet në sigurinë e saj.

“Mbetet e rëndësishme të kuptojmë se bota nuk është aq miqësore sa mund të dëshirojmë ne”, tha ai, duke shtuar se kishte shtete që ishin të përgatitur të përdornin forcën ushtarake për të mbrojtur interesat e tyre. /atsh