Schallenberg: Zhvillimet në BeH janë jashtëzakonisht shqetësuese

Alexander Schallenberg

“Bosnjë e Hercegovina është e dashur për zemrat tona dhe është fqinji ynë. Ngjarjet që shohim janë jashtëzakonisht shqetësuese. Për ne, vija e kuqe është e qartë, dhe ajo është se integriteti i BeH-së nuk është i diskutueshëm”, tha Schallenberg

Ministri Federal për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Alexander Schallenberg, ka deklaruar në Bruksel se në Bosnjë e Hercegovinë është e domosdoshme reforma zgjedhore dhe vlerësoi se ngjarjet në këtë vend janë jashtëzakonisht shqetësuese, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Bosnjë e Hercegovina është e dashur për zemrat tona dhe në thelb është fqinji ynë. Ngjarjet që shohim janë jashtëzakonisht shqetësuese. Për ne, vija e kuqe është e qartë, dhe ajo është se integriteti i BeH-së nuk është i diskutueshëm. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që BeH ashtu edhe Ballkani në tërësi, nuk do të bëhen shesh lojërash për aktorë jashtë Bashkimit Evropian dhe Evropës”, tha Schallenberg përpara takimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian (BE).

Ministri austriak shtoi se veprimet e anëtarit të presidencës së BeH, Milorad Dodik dhe institucioneve të entitetit Republika Srpska ishin jashtëzakonisht të rrezikshme dhe se ata “po luajnë me integritetin e shtetit”.

“Kjo është e papranueshme për ne. Do të kemi bisedime të hapura sot dhe për mua pika thelbësore është të arrijmë një përgjigje të përbashkët dhe unike evropiane për këtë pyetje”, tha Schallenberg.

Shefi i diplomacisë austriake iu referua edhe reformës zgjedhore në BeH, duke vlerësuar se është bërë përparim në çështjen e ligjit zgjedhor të BeH-së.

“Një ditë ne duam të kapërcejmë Dejtonin dhe të shkojmë drejt sistemit të Brukselit, dhe për këtë na duhet reforma zgjedhore. Besoj se është bërë përparim dhe të gjithë aktorët janë të vetëdijshëm se duhet të veprojnë tani. Megjithatë, veprimet e Republikës Srpska janë të rrezikshme dhe rrezikojnë drejtpërdrejt integritetin shtetëror”, tha ministri austriak.

Në fund, ai tha se Republika Srpska do të ndiejë vërtet pasojat nëse nuk tregon interes për ruajtjen e integritetit të shtetit të BeH-së. /aa