Schmidt: Serbët e Bosnjës po përpiqen të shkëputen

Christian Schmidt

Zyrtari i lartë ndërkombëtar në Bosnje ka paralajmëruar se serbët e Bosnjës po përpiqen të “shkëputen” dhe të minojnë sovranitetin e vendit dhe ai i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të mbrojë të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj dhe të mbështesë marrëveshjen e paqes që i dha fund luftës së Bosnjës 1992-95, raportoi AP të premten.

Përfaqësuesi i lartë Christian Schmidt i tha Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se 26 vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes së paqes të Dejtonit, Bosnja është “në një udhëkryq” dhe se çfarë ndodh dhe si reagon komuniteti ndërkombëtar “do të rezultojë në të gjithë Ballkanin Perëndimor”.

Ai tha se vendi mbetet “i traumatizuar” nga lufta që la mbi 100,000 njerëz të vdekur dhe “çdo person që e ka përjetuar atë është ende i lënduar në një mënyrë ose në një tjetër”.

Marrëveshja e Dejtonit e ndërmjetësuar nga SHBA-ja krijoi dy entitete të veçanta në Bosnje – një i drejtuar nga serbët e Bosnjës të quajtur Republika Srpska dhe një tjetër i dominuar nga boshnjakët e vendit, të cilët janë kryesisht myslimanë dhe kroatë. Të dy entitetet janë të lidhura së bashku nga institucione të përbashkëta qendrore dhe të gjitha vendimet e rëndësishme duhet të mbështeten nga të dyja.

Që nga viti i kaluar, tha Schmidt “qytetarët e vendit e edhe media ndërkombëtare kanë spekuluar për mundësinë e një luftë tjetër”.

Ai shtoi se e sheh “dëshirën për ta mbajtur paqen” në mes të serbëve, kroatëve, boshnjakëve dhe të tjerëve, por se gjeneratat më të reja të lindur gjatë ose pas luftës, “përballë jostabilitetit të vazhdueshëm, fatkeqësisht po e lënë shtetin në numra rekord”.

Në raportin e tij në Këshillin e Sigurimit, Schmidt paralajmëroi se potenciali i Bosnjës “për t’u shndërruar në një krizë sigurie është shumë real”.

Schmidt paralajmëroi këshillin se liderët serbë të Bosnjës sistematikisht kanë kundërshtuar marrëveshjen e vitit 1995 dhe kanë intensifikuar aktivitetet e tyre me synimin që të uzurpojnë fuqi të dhëna qeverisë. /koha