Scholz zotohet për nisjen e transformimit më të madh të ekonomisë gjermane në 100 vjet

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha të mërkurën se qeveria e tij do ta përshtatë ekonominë më të madhe evropiane për të ardhmen duke e nxitur investimin në mbrojtje të klimës dhe digjitalizim dhe u zotua se askush nuk do të lihet prapa gjatë këtij transformimi të madh.

Adresimi i parë i rëndësishëm i socialdemokratit para deputetëve gjermanë që nga zëvendësimi i konservatores Angela Merkel javën e kaluar u përqendrua kryesisht në çështjet e brendshme, duke e theksuar nevojën e menjëhershme për ta trajtuar pandeminë dhe detyrën më afatgjate të modernizimit të ekonomisë dhe shoqërisë.

Megjithatë, politikani 63-vjeçar, i cili i ka vizituar Parisin, Brukselin e Varshavën që nga marrja e postit të lartë, gjithashtu e nënvizoi rëndësinë e fuqizimit të Bashkimit Evropian dhe qëndrimit së bashku me aleatët transatlantikë përballë kërcënimeve të sigurisë si grumbullimi i trupave ruse afër Ukrainës.

“Kemi rreth 23 vite para nesh gjatë të cilave duhet dhe do të dalim nga lëngjet fosile, që e nënkupton transformimin më të madh të industrisë dhe ekonomisë sonë në të paktën 100 vjet”, tha kancelari i ri gjerman, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.

Ai shtoi se Gjermania duhet që ta dyfishojë prodhimin e energjisë së ripërtëritshme deri më 2030, por gjithashtu ta zgjerojë infrastrukturën si ndërtimi i stacioneve për mbushjen e veturave elektrike.

Deputetët e opozitës i përqendruan kritikat ndaj qeverisë së re te propozimet e saj për financimin e investimeve publike përmes sigurimit të miliarda eurove shtesë me borxh publik. Politikanët e së majtës ekstreme e kritikuan qeverinë për mosrritjen e taksave për të pasurit, ndërsa djathtistët e akuzuan ekzekutivin për politika të paqëndrueshme financiare.