Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth nuk pritet të marrë pjesë në një takim të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i cili mbledh rreth 51 vende, raportuan mediat lokale të martën, transmeton Anadolu.
Mungesa e tij do ta bënte SHBA-në një nga vendet e pakta që nuk dërgon një zyrtar të lartë civil të mbrojtjes në takimin e aleatëve të Ukrainës.
Zyrtari më i lartë i politikave të Pentagonit, Elbridge Colby do të marrë pjesë në seancën virtuale, siç bëri në takimin e mëparshëm në shkurt, sipas dy zyrtarëve amerikanë që folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, raportoi “Politico”.
Hegseth ka marrë pjesë në takime vetëm me ndërprerje gjatë vitit të kaluar, duke reflektuar prioritetet në ndryshim të administratës së Trumpit dhe pikëpamjen e saj se Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për furnizimin me armë të Kievit.
Më shumë se 50 ministra mbrojtjeje nga vendet që mbështesin Ukrainën pritet të bashkohen në takimin virtual të mërkurën.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius dhe Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, John Healey do të kryesojnë seancën, pasi morën përgjegjësinë për koordinimin e grupit kur administrata e Trumpit u tërhoq nga roli udhëheqës menjëherë pas marrjes së detyrës.




